Komandanti i KFOR-it Volker Halbauer, ka qëndruar të mërkurën në Gjakovë, në kuadër të aktiviteteve të tij të përditshme me q’rast ka vizituar dy objekte të rëndëshme fetare, teqen e Bektashijëve ku është pritur nga baba Mumin Lama dhe dhe teqen e sheh Eminit në të cilën është pritur nga prijësi i saj sheh Ruzhdiu.
Në të dy këto vizita gjenerali Halbauer ka thënë se ka respekt për të gjitha përkatësitë fetare ekzistuese në Kosovë, prandaj po i viziton ato për tu njohur përsëafërmi me traditën, kulturën dhe idetë e mendimet e tyre për çështje të ndryshme.
“Jam i mahnitur me tolerancën dhe mirëkuptimin që bashkësitë fetare kanë këtu në Kosovës e gjithashtu më vjen mirë për faktin që prijësit fetarë në të gjitha rastet ndikojnë pozitivisht tek qytetarët apo besimtarët e tyre për zhvillimet në vend”, ka thënë gjenerali, teksa me kënaqësi, krahas kafesë shijonte një gotë raki tradicionale gjakovare në teqen e Bektashinjëve.
E duke folur në këtë temë, prijësi bektashian në Gjakovë e Kosovë baba Munim Lama, ka thënë se shqiptarët tradicionalisht janë njohur për respektin ndërfetar, prandaj, për ndonjë veprim të keq që ka mundur të ndodhë në këtë drejtim, ai ka shprehur bindjen se nuk e kanë bërë kosovarët.