Nga 9 deri me 15 shtator, në Gjakovë do të organizohet festivali Komedia Fest, i cili do të ngërthejë në vete shfaqje teatrale nga zhanri i komedisë, muzikë, ekspozita dhe panaire të ndryshme. Këtë e kanë bërë të ditur organizatorët e këtij manifestimi, të cilët gjatë një konference për gazetarë të mbajtur të premten, kanë premtuar se edicioni i dytë i festivalit do të jetë dukshëm më i fuqishëm dhe më atraktiv për vizitorët, pasi në këtë edicion janë futur disa risi shtesë.
Risi nga viti i kaluar do të jetë edhe organizimi i takimeve të përditshme me ikonat e komedisë shqiptare, në të cilat adhuruesit do të mund të takohen e të bashkëbisedojnë pa protokoll me emrat më eminent të këtij zhanri teatral. Adhuruesit po ashtu do të kenë mundësi që një ditë pas shfaqjes, të takohen me komplet trupën e shfaqjes dehe të bashkëbisedojnë lirshëm me ta.
Qëllimi i këtij aktiviteti që tashmë veçse ka hyrë në rrugën e të qenit aktivitet tradicional është ringjallja e jetës kulturore në qytetin e Gjakovës dhe pasi të gjitha aktivitetet tjera mbahen në Çarshinë e vjetër, edhe ringjallja e kësaj pjese atraktive të Gjakovës.