Komuna e Gjakovës reagon për iniciativen e Mimozes për Aeroportin
Kuvendi Komunal i Gjakovës, përmes nënkryetarit të komunës Agim Koci, ka reaguar të martën pas informacioneve për iniciative e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe zv.kryemnistres të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, lidhur me themelimin e një komisioni për nisjen e procedurës se transformimit të aeroportit ushtarak në Gjakovë, nga Ministria e Mbrojtës e Italisë, në Qeverinë e Kosovës.
Në reagimin e komunës pos tjerash theksohet se Kuvendi I Komunës së Gjakovës, ka qenë e involvuar nga dita e parë e fillimit të punimeve për ngritjen e aeroportit, duke bashkëpunuar ngushtë me KFORI-në Italian. Ky angazhim dhe bashkëpunim ka qenë në vazhdimësi menjëherë pas përfundimit të Luftës në Kosovë, edhe pse komuna ka qenë nën administratën e UNMIKU-t, e deri në ditët e sotme dhe më pas që nga momenti i parë kur KFORI- Italian ka njoftuar Komunën e Gjakovës për mundësin e bartjes së kompetencave menaxhuese të aeroportit të Gjakovës, Kryetari I Komunës dr. Pal Lekaj, ka filluar të ndërmerr hapa konkret që çështja e aeroportit të Gjakovës të ketë një zgjidhje të mirëfilltë të statusit juridik dhe shfrytëzimit të këtij aset me rendësi për Gjakovën dhe Kosovën.
Pasi radhiten edhe shumë aktivitete që komuna ka zhvilluar për ta funksionalizuar aeroportin e Gjakovës, shprehet habi për ndërhyrjen e MTI_së.
“Për çudi Ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila, nuk paska qenë e informuar për këtë angazhim të organeve komunale, dhe na paraqitet me një iniciativë për zgjidhjen e statusit juridik të aeroportit. Aeroporti është pasuri e Komunës së Gjakovës, dhe nuk do të lejojmë të grabitet nga askush. Apelojmë Qeverinë e Kosovës, që ky aset ti mbetet qytetarëve të Gjakovës dhe gjithë qytetarëve Republikës së Kosovës për shfrytëzim civil e komercial “ thuhet në reagimin e komunës së Gjakovës që u bë publik ne konferencen per gazetera, te marten përmes nënkryetarit Koci. (gjakovapress.info)