KRU Radoniqi me performancen më të mirë tri vjet radhazi
Për të tretin vit me radhë Kompania rajonale e Ujësjellësit Radoniqi nga Gjakova shpallet me performancën më të mirë në Kosovë. Në ceremoninë e organizuar dje ne Prishtinë nga Autoriteti Rregullativ i Ujit të Kosovës, u vlerësua puna përkushtuese e kësaj kompanie në furnizimin e rregullt me ujë cilësorë dhe shërbimet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujërave të zeza, duke vazhduar traditën për epitetin e Kompanisë më të suksesshme dhe duke e ngritur në nivel edhe më të lartë performancën. KRU “Radoniqi” për arritjet në kryerjen e shërbimeve cilësore dhe me kohë u nderua me pozitën e parë. Kryeshefi Ekzekutiv Ismet Ahmeti, pasi pranoi dekoratën u shpreh mjaftë i kënaqur për këtë arritje, dhe tha se ky vlerësim është motivim që edhe më tutje të ecet në përmbushjen e të gjitha synimeve zhvillimore.
Ndryshe KRU Radoniqi ka plane ambicioze zhvillimore. Po planifikon që vitin e ardhshëm të përfundoi një vit para afatit, ndërtimin e Fabrikës së re të prodhimit të ujit-Faza e dytë, që do të dyfishoi kapacitetet prodhuese edhe për 500 litra në sekondë. Ky projekt, që ishte planifikuar të ndërtohet para 30 vitesh, do të kushtoi 6 milion e 300 mijë euro dhe është planifikuar të ndërtohet për tri vjet, por, dinamika e shpejtuar e punimeve do të bëjë që të kryhet një vit para afatit.