Tuesday, November 5, 2024
AktualeLajme

Kryqi Kuq i Gjakovës thotë se po migrojnë të varfrit

Kryqi i kuqMë shumë se 750 familje të varfra të komunës së Gjakovës kanë qenë  të regjistruara në listën e ndihmave të Kryqit të Kuq Komunal, mirëpo sipas drejtuesve të Kryqit të Kuq Komunal këta muajt e fundit kjo listë ka rënë dukshëm, jo për faktin se u është ngritur shkalla e mirëqenies së tyre por se supozohet se kanë migruar në vende të ndryshme për të kërkuar një jetë më të mirë.

Dushe  Lama nga Kryqi Kuq Komunal thotë se edhe gjatë muajit janar janë ndarë ndihma në veshmbathje, ndërsa këtë vit për dallim nga herët tjera nuk ka pasur donacione për lëndë djegëse. Nga vullnetarët e Kryqit të Kuq u janë  bërë vizita të rregullta këtyre familjeve nevojtare për të parë nga afër  gjendjen e tyre.

“Jo vetëm gjatë vizitave që u bëjmë familjarëve por edhe gjatë pranimit të kërkesave për ndihma, numri është më i vogël. Vështirësitë  ekonomike si duket i kanë shtyer të migrojnë”, tha Lama pa precizuar se sa është numri i të migruarve nga lista e Kryqit te Kuq..

Lama apelon tek të gjithë ata bashkëqytetarë që kanë mundësi të ndihmojnë që këtë ta bëjnë çdo ditë në lokalet e kryqit të kuq, ndërkohë që ka lavdëruar iniciativën e gjimnazistëve gjakovar për të organizuar koncert humanitar dhe nga mjetet e grumbulluara të sigurojnë ushqime për familjet e varfra..