Tuesday, November 5, 2024
Aktuale

KU TRETEN KAPAKËT E PUSETAVE?

Pusetat pa kapak

 

Dukuria e vjedhjes së kapakëve të  pusetave ka marrë hov. Pothuajse të gjitha pusetat e rrjetit të ujërave atmosferike nuk janë në vendin e vet duke shkaktuar mjaftë probleme për këmbësorët dhe automjetet. Mungesa e tyre jo vetëm që po prish imazhin e infrastrukturës rrugore kudo, por po paraqet rrezik permanent me pasoja të mëdha. Gjithnjë e më shumë nëpër kënde rrugësh shihen objekte nga më të ndryshmet, shporta, gurë të mëdhenj, drunj sinjalizues për pjesëmarrës të trafikut që të mos bijnë pre e pusetave pa kapak.

Kjo dukuri  problematike vazhdon të ngelet e pandryshuar përderisa vjedhësit të heqin dorë nga kjo punë e pandërgjegjshme që rrezikon jetën e këmbësorëve dhe dërgon bashkëqytetarët nëpër spitale. Në komunën e Gjakovës, gropat e pusetave janë në numër tejet të madh. Mungojnë shumë kapak të pusetave të rrjeteve të kanalizimit dhe  të rrjeteve tjera nëntokësore që janë në trotuare e rrugë automobilistike, në qenëdr të qytetit apo nëpër rrugët anësore. Mungojnë edhe kapak më të vegjël por që janë të metaltë, sepse vetëm ata, si duket,  bëjnë para!.

Jemi të vetëdijshëm se kriza e madhe ekonomike të një shtrese të qytetarëve nxit një veprim të tillë të vjedhjes së  kapakëve të  pusetave, të cilat shiten për një çmim të ulët, mirëpo nuk mundë të arsyetohet në asnjë moment një rrezikim i jetës për një sjellje të tillë.  Edhe përkundër rivendosjes së tyre dhe intervenimeve të ndryshme që janë bërë kohë pas kohe, nga ana e Kuvendit Komunal të Gjakovës, dukuria ende është prezentë tek  qytetarët që kanë mundur të jenë viktima të gropave të hapura nëpër rrugë të ndryshme të qytetit.

Në Drejtorinë për Shërbime Publike në Gjakovë, thonë se kohë-paskohe  kanë intervenuar në rivendosjen e  kapakëve, mirëpo shumica prej tyre sërish janë vjedhur dhe gjendja faktike thuajse vazhdon të ngelet e njëjtë. Sipas tyre problem në vete ngelet edhe çështja e dimensioneve të këtyre kapakëve, meqë bazuar në format e ndryshme që ato kanë, aktualisht nuk ka edhe prodhues të tyre.

Ndërkohë, komisioni përkatës po ndërmerr masat e duhura në terren, për të bërë verifikimin e saktë të kapakëve të munguar në qytet.

Pas një gjendje të tillë të shumë pusetave pa kapak, duket se më në fund  ka ardhë koha që në këtë drejtim të ndërmerren masa të gjithanshme, duke i siguruar kapakët në forma të ndryshme, apo edhe duke shikuar mundësi alternative të prodhuesve të kapakëve plastik që, ndoshta,  nuk do të ishin atraktiv për vjedhësit!

Në fund të themi se është e obligueshme që secili qytetarë të bëj kujdes, dhe të mos bëhet shkaktarë rreziku i ndonjërit prej qytetarëve, të cilit mund t’i kushtoj dhimbje për tërë jetën.(z.v)