‘Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe padyshim shënon momentin e kthesës vendimtare të kësaj lufte, sepse atë ditë forcat pushtuese kuptuan se luftën e kishin humbur, ndërsa luftëtarët tanë e panë të jetësohej me sukses disiplina dhe përgatitja e prijësve të kësaj beteje në njërën anë, me guximin dhe sakrificën e ushtarëve që morën pjesë në fitore, në anën tjetër. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit ’99, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës , tha kryeministri i Kosoves Isa Mustafa.
Në këtë betejë ranë heroikisht 116 dëshmorë në mesin e të cilëve edhe komandantët Sali Çeku, Agim Ramadani, Abaz Thaqi, Shefqet Mustafa, e të tjerë si dhe u plagosën rëndë e lehtë 350 luftëtarë.
Në manifestimin sotëm kanë folë edhe njëri nga komandantët e betejës së Kosharës Hysen Berisha dhe në emër të familjarëve ka folur, gruaja e komandantit Agim Ramadani, Shukria e cila në fjalën e saj është ndalur tek gjendja në të cilën momentalisht gjendet kompleksi memorial në Koshare.
Projekti për ndërtimin e Kompleksit Memorial përfshin një shumë prej 4 milionë eurosh. Por, deri më tani janë ndarë vetëm 600 mijë, ndërsa shuma vjetore për përfundimin e këtij projekti, që Qeveria kishte planifikuar është rreth 200 mijë euro.
Në manifestimin e sotem u shfaq edhe një program kulturo artistik.