Monday, December 30, 2024
AktualeLajme

Kujtohet përvjetori 14-të i Betejës së Çabratit

Cabrati betejaNë betejën e Çabratit, të zhvilluar me 7 e 8 maj 1999, kanë rënë 7 dëshmorë dhe 41 civil, pjesëmarrës direkt apo indirekt në luftë. Gjithashtu gjatë këtyre dy ditëve janë rrëmbyer e zhdukur 43 qytetar të lagjes së Çabratit dhe 77 të tjerë janë arrestuar e mbajtur të burgosur nëpër burgjet serbe deri në vitin 2001.

Në 14 vjetorin e betejës së Çabratit, si e vetmja betejë e zhvilluar në një zonë urbane, luftëtarët e Gjakovës me nje akdemi perkujtimore te mbajtur te marten,  ne Pallatin e Kultures kanë kërkuar dhe kanë propozuar disa ide konkrete për ndërtimin e një monumenti memorial në qendër të qytetit, në nderim të të gjithë atyre që kanë luftuar dhe atyre që e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.

“Ne bashkë me disa artistë dhe kompani projektuese, kemi projektuar dhe propozuar disa ide, të cilat kërkojmë të jenë në agjendën e institucioneve qendrore e lokale. Kërkojmë që me realizimin e kësaj ideje të nderohen përjetësisht të gjithë ata që kanë sakrifikuar për Gjakovën dhe Kosovë”, ka thënë Stilian Hoda, njëri nga përfaqësuesit e grupit iniciator për formësimin e kësaj ideje.

“7 maji dhe beteja e Çabratit ka qenë ëndërr e Elton Zherkës, Permet Vulës, Yll Morinës dhe e gjithë neve të gjallëve që kemi  qenë të angazhuar në vende tjera e nuk kemi marrë pjesë në këtë betejë. Të gjithë e kemi pasur ëndërr të luftojmë nëpër rrugët e rrugicat në të cilat jemi rritur”, ka thënë Hoda.

E për Betejën e Çabratit dhe rrjedhat që kanë dërguar deri të zhvillimi i saj kanë folur edhe Agron Kryeziu, komandanti i parë i Brigadës “Gjakova 137” dhe Avdullah Babalija, i cili e ka zëvendësuar të parin pas plagosjes së tij të rëndë.

Tribunës në të cilën është folur për Betejën e Çabratit dhe luftën e përgjithshme të djemve e vajzave nga Gjakova, i ka paraprirë edhe një ekspozitë me fotografi nga periudha e luftës, në të cilët janë prezentuar shumica e pjesmarrësve në të.