Në 14 vjetorin e betejës së Çabratit, si e vetmja betejë e zhvilluar në një zonë urbane, luftëtarët e Gjakovës me nje akdemi perkujtimore te mbajtur te marten, ne Pallatin e Kultures kanë kërkuar dhe kanë propozuar disa ide konkrete për ndërtimin e një monumenti memorial në qendër të qytetit, në nderim të të gjithë atyre që kanë luftuar dhe atyre që e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.
“Ne bashkë me disa artistë dhe kompani projektuese, kemi projektuar dhe propozuar disa ide, të cilat kërkojmë të jenë në agjendën e institucioneve qendrore e lokale. Kërkojmë që me realizimin e kësaj ideje të nderohen përjetësisht të gjithë ata që kanë sakrifikuar për Gjakovën dhe Kosovë”, ka thënë Stilian Hoda, njëri nga përfaqësuesit e grupit iniciator për formësimin e kësaj ideje.
“7 maji dhe beteja e Çabratit ka qenë ëndërr e Elton Zherkës, Permet Vulës, Yll Morinës dhe e gjithë neve të gjallëve që kemi qenë të angazhuar në vende tjera e nuk kemi marrë pjesë në këtë betejë. Të gjithë e kemi pasur ëndërr të luftojmë nëpër rrugët e rrugicat në të cilat jemi rritur”, ka thënë Hoda.
E për Betejën e Çabratit dhe rrjedhat që kanë dërguar deri të zhvillimi i saj kanë folur edhe Agron Kryeziu, komandanti i parë i Brigadës “Gjakova 137” dhe Avdullah Babalija, i cili e ka zëvendësuar të parin pas plagosjes së tij të rëndë.
Tribunës në të cilën është folur për Betejën e Çabratit dhe luftën e përgjithshme të djemve e vajzave nga Gjakova, i ka paraprirë edhe një ekspozitë me fotografi nga periudha e luftës, në të cilët janë prezentuar shumica e pjesmarrësve në të.