Në katërvjetorin e vdekjes poeti Agim Deva kujtohet me poezi
Klasat e shkollave fillore me shumicë fëmijësh në audiencë, për dekada të tëra ka qenë vendtakimi i poetit Agim Deva. Në katërvjetorin e vdekjes së tij, klasa e shkollës fillore “Dardania” në kryeqytet, ka qenë e mbushur përplot fëmijë dhe mësimdhënës. Organizatorët e “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë”, kanë zgjedhur që në ditën kur bëhen katër vjet prej vdekjes së Devës, ta përkujtonin atë duke lexuar poezi. Fëmijë të kësaj shkolle kanë qenë poetët të cilët i kanë recituar poezitë e tyre që ia kanë dedikuar poetit por edhe të tjera.
“Ushtarët u afruan tek ne dhe e pyetën Devën se ku janë armët. Ai i tha: ‘Shkoni në Mitrovicë’. Me këtë ushtarëve ua mbylli gojën”, kujton Kadriu. “Mitrovica për të ishte plagë, ashtu sikurse për shumicën nga ne. Prandaj kam vendosur që ta lexoj një poezi timen për Mitrovicën, por që i kushtohet Agimit”, ka thënë Kadriu, teksa ka lexuar poezinë e tij. E leximi i kësaj poezie nga kolegët e Devës, por edhe nga nxënësit e shkollës “Dardania” ka bërë që familjarët e tij të mos mund t’i mbanin lotët. Megjithatë kolegët e Devës si poeti Gani Xhafolli, kanë lexuar poezitë e tyre, kushtuar shkrimtarit të ndjerë. Sipas Xhafollit, Deva mbetet një prej poetëve më të dashur për secilën gjeneratë të fëmijëve. Për të shpërfaqur personalitetin e Devës, Xhafolli ka treguar një mesele që kishte të bënte me fise dhe prijës fisesh. E Xhevat Syla, koordinatori i “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë”, që tash mban emrin e Agim Devës, nuk ka folur për të e as nuk ka lexuar poezi të tijën, kushtuar Devës. “Në vend se të flas për të kam vendosur që ta lexoj poezinë e tij ‘Fotografia’, e cila më pëlqen shumë”, ka thënë Syla. Deva kishte doktoruar në fushën e letërsisë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Deva ishte anëtar i PEN- Qendrës së Kosovës dhe themelues e drejtues i “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë” që nga viti 2000 e këtej. Po ashtu, që nga viti 2005 ishte edhe anëtar i shoqatës “Pranë fëmijëve”. Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 libra.
Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumanisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht e maqedonisht. (marrë nga koha.net)