Bordi i Drejtorëve, konstatoi se lidhur me ndërtimin e Lapidarit “ Shokët e Lirisë” për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është marrë projekti i aprovuar nga Komisioni i dal nga DPPA. Me këtë rast u caktua vendi I ndërtimit, buxheti i ndarë dhe gurthemeli i fillimit të punimeve do të vehet me 14 qershor 2014 në ditën e çlirimit të Gjakovës.
Një komision profesional i përbërë nga arkitektët Rexhep Vula e Arbër Shita si dhe skulptorit Luan Mulliqi, ka përzgjedhur propozimin për memorialin “shokët e lirisë”, i cili do të ndërtohet në qendër të qytetit të Gjakovës, në nderim të të gjithë dëshmorëve e martirëve që për breza të tërë kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Propozimi i përzgjedhur është i punuar nga kompania “Maden Group”, konkretisht nga arkitekti gjakovar Ideal Vejsa. Projekti fitues ishte pëlqyer edhe gjatë një konkursi të mbajtur në Gjakovë, me ç’rast qytetarët e kishin votuar me shumicë votash. Në këtë garë ky propozim ishte quajtur “propozimi B”, ndërsa i tëri bazohet në ngritjen e 5 shtyllave me ngjyrë të kuqe, të cilat në nivele të ndryshme simbolizojnë kontributin në kohëra e situata të ndryshme të të gjithë dëshmorëve e martirëve. Ideatori i këtij projekti Ideal Vejsa ka thënë se është i lumtur për këtë përzgjedhje të jurisë, pasi konsideron se me punën e tij e ka dhënë një kontribut për vendlindjen e tij.