Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Legjenda për themelimin e Gjakovës

Ekziston një legjendë që ka të bëjë me emrin e para më shumë se pesë shekujve të Gjakovës, që quhej Jakova.

Sipas një gojëdhëne thuhet se fillet e Gjakovës së sotme u vunë në mesjetë aty rreth shekujve XIV-XV, kur Hadum Aga, një njeri me ndikim, vendos që të ndërtojë një xhami në mes dy vendbanimeve që ekzistonin në këtë qytet; Mëhallës së Gërçarëve dhe Mëhallës së Gecës.

Pronari i tokës ku ai dëshironte të ndërtonte xhaminë ishte Jak Vula, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të qytetit, që natyrisht i takonte besimit të krishterë. Ky i fundit, pasi dëgjoi kërkesën e Hadum Agës, iu përgjigj duke thënë se do ti shiste aq tokë sa zinte sipërfaqja e lëkurës së rjepur të një bualli. Hadum Aga u mendua gjatë se si t’ia bënte dhe në fund gjeti një zgjidhje. Ai theri një buall, ia rjepi lëkurën dhe pastaj këtë lëkurë e preu në shirit të hollë rrethor. Kur ky shirit u shtri,  ai zuri një sipërfaqe mëse të mjaftueshme të tokës për të ndërtuar një xhami. Jak Vulaj, si njeri i fjalës që ishte, vendosi që të respektonte fjalën e dhënë por, edhe mençurinë e Hadum Agës dhe ia shiti tokën siç i kishte premtuar.

Në fillim,   rreth xhamisë u ndërtua hani, hamami e pastaj edhe dyçanet zejtare prej nga nisi të shtrihej qyteti.

Kjo është gojëdhëna dhe nuk ka të dhëna të sakta që mund ta vërtetojnë apo mohojnë atë. 

xhamia e hadumitEmri i qytetit më parë ishte Jakovë

Në mbarim të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594/95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e donatorit-financuesit të objektit në Gjakovë. Xhamia, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jak Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit – Jakovë.