Takimet mes sportistëve të brezave të ndryshme gjithmonë janë emocionuese. Ato janë të rralla por lënë përshtypje të thellë. I këtillë ishte takimi i kryesisë së klubit me veteranët e Vëllaznimit. Kjo shihej edhe në fytyrën e ish futbollistit, tash kryetar Agim Cana. Ai i ngazëllyer se kishte në një vend, ish futbollistë që kanë lënë gjurmë në klub, po priste në ambientet moderne të klubit. Ai dëshiron që Vëllaznimi në të gjitha aspektet të jetë një klub i madh. Të gjithë pajtohen, sepse Vëllaznimi këtë e meriton. Kur hapet mikrofoni, veteranët shkurtimisht shpalosin periudhat e shkuara të lojës së tyre, gëzimet, krenaritë që i kanë përjetuar me ngjyrat e klubit “Kuq e zi”. Ka pasur edhe batuta e të qeshura nga ndodhitë e dekadave të shkuara gjatë lojës por edhe pas saj. Ka pasur shumë emocione tek Halili, Jakupi, Xhafa, Zijaja, Besniku, Bedriu, Faruku, Genci, Naseri, Dela, Kujtimi, Ibrahimi, Muhameti, Bujari, Luani, Ahmeti, …edhe përfaqësuesit e tifozerisë gjakovare…
Takimit mbresëlënës me veteranët i dha shpirt legjenda e futbollit shqiptar Lorik Cana. Ai është shpesh mes futbollistëve të Vëllaznimit të cilët po luftojnë për tu kthyer në superligë. Të rralla janë klubet që kanë fat si Vëllaznimi të ketë mbështetjen morale, dhe jo vetëm atë nga një sportist kulminant që ka bërë shumë për futbollin shqiptar. Lorik Cana, që ka lënë prapa arritjet më të mëdha të Kombëtares së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, kapiteni i kombëtares që ka motivuar futbollistët për të dhënë shpirtin në fushë për madhështinë e shqiptarisë, futbollisti që ka shkelur stadiumet dhe arenat më të mëdha të futbollit , që ka veshur fanellën e shumë klubeve të mëdha evropiane, që ka arritur të unifikoi tifozerinë shqiptare…kurrë nuk e ka harruar Vëllaznimin. Loriku foli para veteranëve të futbollit gjakovar..
Sa i përket klubit, është diçka e mirë që jemi të gjithë bashkë, sepse klubi nuk i takon absolutisht as Komunës, as një lojtari, as një familje, as një biznesi. Klubi është një trashëgimi e përgjithshme e historisë së qytetit tonë dhe duhet absolutisht të mbahet në këtë nivel, dhe ju që keni qenë dhe keni japë një kontribut të jashtëzakonshëm në histori, jeni pjesë dhe duhet të jeni pjesë e përgjithshme e klubit tonë…..(Më gjërësisht në numrin më të ri 119 të Revistes Gjakovapres)