Wednesday, January 1, 2025
Lajme

Lumi Krena me shetitore

Gjakova gjithmonë është krenuar me lumin Krena që  i sjellë freski e bukuri qytetit dhe që ia kanë lakmi të gjitha komunat tjera.  Po gjendja e tij nuk ishte e dëshiruar. Rregullimi shtratit të lumit Krena shikohet si prioritet i qeverisje aktuale në komunë, ndërsa kryetari Ardian Gjini gjithnjë ka potencuar këtë projekt si mjaftë të rëndësishëm. Këtë e tha edhe të enjten  në ceremoninë e vënies së gurit themeltar të punimeve në fazën e parë të rregullimit të shtratit  nga Ura te Krojet e Rexhep Agës e deri tek Ura e Islam Begut. Duke e vlerësuar si ndër projektet e domosdoshme për komunën dhe qytetarët e saj Gjini tha se do të rregullohet rrjeti i ujërave të zeza, shtigjet për shëtitje me ulëse dhe  ndriçim duke e shndërruar këtë lum me një shëtitore moderne.

“Kompania e cila ka fituar tenderin do të më shoh gati çdo ditë këtu, sepse Krena mbetet projekti im më i dashur”- tha në fjalën e tij  Gjini.

Ky projekt është i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës. Ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  Albena Reshitaj, duke marrë pjesë në këtë ceremoni tha se ky projekt është i një rëndësie shumë dimensionale dhe se rregullimi i shtratit të lumit Krena do të jetë në dobi të banorëve dhe vet komunës si dhe do të ruaj florën dhe faunën si pasuri e çmuar natyrore.

Ky projekt do të mundësoj edhe evitimin e rrezikut nga vërshimet e mundshme dhe do të krijoj mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm duke balancuar aspektin ekonomik, social dhe mjedisor”, tha Reshitaj.

Projekti për ndërtimin e shtratit të lumit Krena dhe shëtitores përrreth është një bashkëfinancim i Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vlera totale e projektit është dy (2) milion euro dhe punimet do të zgjasin 3 vjet e gjysmë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *