Sunday, March 9, 2025
AktualeLajme

Manifestimi qendror i Festës së Abetares në Gjakovë

AbetarjaGjakova të shtunën ka qenë qendër e vogëlushëve nga e gjithë Kosova dhe Shqipëria që kishin ardh të marrin pjesë në manifestimin tradicional të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, me moton “Ne festojmë bashkë”, manifestim ky tradicional që organizohet me rastin e përfundimit të mësimit të 36 shkronjave të alfabetit shqip nga nxënësit e klasave të para.

Kjo festë koincidoi me shënimin e 17 Majit, Ditës së dëshmorëve të Gjakovës, këtij qyteti që u la me gjak për të fituar lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe qytetit arsimdashës që i dha dritë Kosovës për dije e arsim, duke dhënë mësuesit e shquar që arsimuan e edukuan breza në shekuj.

Nxënësit me kapelat e tyre dekorative, që ishin të punuara prej letre, në ballinë kishin vendosur shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe nga germa A deri tek shkronja e fundit ZH, ku me gëzim e emocione, recituan, vallëzuan e kënduan ngase ishin krenarë që tash dinë të lexojnë e shkruajnë gjuhën amtare.

Manifestimin, në emër të Këshillit organizativ e  hapi Habib Aliu i cili tha se   është shumë e rëndësishme për nxënësit e klasave të para, sepse deri tash nuk kanë ditur të shkruajnë e lexojnë, mirëpo me mësimin e 36 shkronjave ata do të ecin drejt rrugës së dijes.

Ndërkaq përfaqësuesja e Ministrisë së arsimit Drita Kadriu, pasi ka bashkebiseduar me voglushet dhe ka ndare gezimin e mesimit te shkronjave,  vlerësojë lartë punën e mësimdhënësve dhe vogëlushëve në përvetësimin e abetares. Ajo tha se përkundër kushteve të vështira që kanë punuar dikur nxënësit dhe mësimdhënësit, sot nxënësit kanë kushte shumë më të mira, nderkohe qe ka thene se festa e abetares ka bashkuar nxenesit e te gjitha trojeve shqiptare.

“Sot bashkësirisht po kremtojmë festën e Abetares dhe tash jemi bashkë Kosovë e Shqipëri. Kjo ishte ëndërr e brezave të përparshëm e që ishim të ndarë për gati një shekull.  Ju do të jeni shtylla e një ardhmërie të sigurt të Republikës së Kosovës. Këtë vit gjithë fëmijët e klasave të para kanë mësuar nga një abetare e përbashkët, e një nga autoret e kësaj abetare vjen pikërisht nga qyteti nikoqir I kësaj feste-Gjakova e ajo eshte  Saranda Pozhegu”, tha Kadriu duke bashkëbiseduar ngrohtësisht me vogëlushët që kishin ardhe nga gjitha qendrat rajonale të Kosovës dhe nga Kukësi I Shqipërisë.

Përfaqësuesja e këtij qyteti në këtë manifestim, Teuta Ceka tha se ndjehet e emocionuar që më në fund erdhi koha që festën e abetares ta bëjmë bashkë.

Në skenën e pallatit të Kulturës Asim Vokshi kanë defiluar me zërat e tyre të ëmbël, me recitime, këngë  e vallëzime,  vogëlushët nga shkollat fillore “Emin Duraku” nga Kaqaniku, “28 Nëntori” nga Vitia, “Meto Bajraktari” nga Prishtina, “Avni Rrustemi” nga Kukësi, “Mustafë Venhari” nga Vushtria, shkolla “Dardania” nga Peja, “Emin Duraku” nga Gjakova dhe “Avdyl Frashëri” nga Prizreni . Ata janë duartrokitur  nga publiku I pranishëm, ndërsa urimet dhe përqafimet më të ngrohta I morën nga mësimdhënësit dhe prindërit e tyre.  

Në fund organizatori ndau mirënjohje për më të mirët.    gjakovapress.info