Rrugët e Gjakovës sot ishin më të gjallëruara. Muaji mars ka nisur me mot të bukur dhe me një gjallëri më të shtuar jete e pune. Edhe pse ende jemi në dimër dhe se dita e parë e pranverës është edhe për nja 20 ditë, megjithatë janë shtuar ritmet e punëve në të gjitha fushat, qoftë në ndërtimtari, rregullim të ambienteve dhe në bujqësi.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar të mbjell drunj të ri dekorativ përgjatë rrugëve kryesore të Gjakovës, posaçërisht në rrugën “Nëna Terezë” dhe “Tirana” si dhe në disa objekte shkollore.
Ata thonë se do të zëvendësohen nja 60 drunj dekorativ, pisha, bli, rrap e tjera, që u dëmtuan nga dimri. Edhe në parkun kryesor sot kanë vazhduar punimet në rinovimin e tij.
Që në ditën e parë të përmirësimit të kushteve atmosferike fermerët e komunës së Gjakovës kanë nisur përgatitjet për mbjelljet e pranverës. Perimtarët tash po mbjellin rasatin e perimeve ndërkohë që lavërtarët po përgatisin mekanizmin dhe sigurimin e plehrave e farërave të nevojshme për fushatën e mbjelljeve pranveror.