Mbahet manifestimi “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore”
Me organizim të Qendrës kombëtare të poetëve, shtrimtarëve dhe artistëve nga Gjakova, u mbajt manifestimi kulturor “Në rrugëtim më Yllka Domin, poete dhe dëshmore”. Në emër të kryetares së komunës, për rëndësinë e këtij manifestimi foli Silvana Domi, anëtare e bordit komunal, ndërsa , kryetarja e kësaj qendre , Mevlyde Saraqi theksoi kontributin e kësaj qendre në afirmimin e vlerave të krijueseve të reja.
Me rastin e mbajtjes së këtij aktiviteti u bë edhe shpallja e fitueseve në konkursin letrar për poezinë më të mirë të poetshave. Sipas kryetarit të jurisë për vlerësime, Halil Haxhosaj, në këtë konkurs kishte prurje të mëdha. Mes 20 poezive, juria shpërbleu pesë poezi që u ndanë në tri cmime, ndërsa poezia fituese u shpall ajo me titull “Poeteshë me emrin liri” të autores Bleta Bokshi.
Me këtë rast u bë edhe promovimi I numrit të parë të revsitës që iu dedikua poetes dhe dëshmores Yllka Domi, ndërkohë që cmimi kryesor për arritje të gjithanshme iu nda kryetares së komunës Mimoza Kusari Lila. Për këtë çmim të ndarë, në mungesë fizike të kryetares për shkak të agjendës së ngjeshur në ditën e sotme, falënderimet i’a ka përcjellur Silvana Domi, drejtore e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila e lexoi letrën e kryetares Mimoza Kusari Lila, të cilën po e botojmë të plotë.
….Kur kujtojmë figurat, në veçanti ato të cilat sapo kishin filluar hapërimet e jetës dhe tregonin perspektivën e tyre se përpara kanë një jetë të ndritshme për vete, familjen, kombin dhe mbarë shoqërinë, atëherë medoemos se ndjehemi të emocionuar. Yllka Domi ishte ajo figurë që e karakterizonin këto tipare dhe mu për shkak të këtyre karakteristikave, por dhe guximit njerëzor dhe kombëtar, ishte shënjestër e goditur për vdekje nga ato forca të pamëshirshme okupuese. Me këtë dedikim nderi që më bëtë në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të vrasjes së poetes, guximtares, sakrifikueses dhe dëshmores Yllka Domi, më bëtë që tani e tutje me krenari të posaçme të mbart këtë simbolikë, si personifikim se si duhej përkushtim për atdheun, se çfarë duhej bërë për atdheun, dhe si duhej atdheu në ato kohëra kur ndjehesh thuaja e braktisur dhe shpëtimin e kërkon vetëm nga hyu i qiellit.
Të nderuar anëtarë të Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”.
Ju admiroj për këso aktivitetesh të përvitshme që bëni në kujtim të atyre që jo vetëm se asesi nuk duhet harruar, por që me emrin e tyre sot shndërrisin në qetësi mbi ne,sepse pa shkëlqimin e tyre për së gjalli, ne sot nuk do kishim këtë jetë të lirë, ku jetojmë dhe frymojmë sipas idealeve të tyre që kishin, por që neve na mbetet që edhe të jemi të frymëzuar nga ato ideale dhe nga këto figura, e asesi dhe për asnjë moment të mos anashkalojmë imperativin e tyre.
Yllka Domi botën tonë fizike e braktisi fare e re. Por, me veprat të cilat e kujtojmë ajo përherë mbetet e re, e njomë dhe e bukur, siç ishte vet dhe siç është liria. E bukurinë e saj natyrore ajo e gërshetoi edhe me bukurinë e lirisë që në parajsë të shkojë e bukur dhe madhështore.
Ne, përherë do të jemi yllka të Yllkës së lirisë dhe poezisë!…