Site icon Gjakovapress

Më 14 qershor mbahet në Gjakovë mbledhja e përbashkët e qeverive Shqipëri-Kosovë

Mbledhja e ardhshme e dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të zhvillohet në 14 Qershor në Gjakovë. Burimet nga Kosova i thanë RTSH-së se mbledhja e përbashkët është dakordësuar të mbahet në mes të qershorit në qytetin e Gjakovës për shkak të një simbolike që lidhet me këtë datë. 14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Përgatitjet për këtë mbledhje të disatën në radhë mes dy qeverive kanë filluar.

Vetë dy kryeministrat shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti e njoftuan pak ditë më parë në Tiranë se do të takohen me kabinetet e tyre shumë shpejt.

Në 14 qershor dy qeveritë do të ulen sërish përballë në takimin e tyre të nëntë në Gjakovë në përpjekje për të përparuar me bashkëpunimin mes dy shteteve të të njëjtës kombësi.

Që prej 11 Janarit 2014 kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim janë firmosur dhjetëra marrëveshje. Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, ndërsa në horizont mbetet sfida më e madhe ende e parealizuar, porti i ri detar i përbashkët që është planifikuar të ndërtohet në Porto Romano, një port për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan dhe transporti hekurudhor mes Tiranës dhe Prishtinës.

 

Exit mobile version