Site icon Gjakovapress

Me 14 shtator fillon viti ri shkollor

Pas gjashtë muajve të ndërprerjes së mësimit, nxënësit pritet të kthehen në shkolla me 14 shtator.  Vendimin për nisje të mësimit, pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësues të komunave dhe përfaqësuesve të SBAShK-ut ministri i Arsimit, Ramë Likaj, e ka quajtur të vështirë. Ai  ka thënë se orari mësimor do të jetë i shkurtuar dhe varet edhe nga kapacitetet infrastrukturore e njerëzore të shkollave.

Në fazën e parë, më 14 shtator, do të fillojnë mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të.

Ndërsa për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale që të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje.

Faza e dytë do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe të klasave 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.

Këto klasa do të vijojnë mësimin në formë të kombinuar, dy ditë në javë në objekte shkollore dhe tri ditë në formë të mësimit online.

Bazuar në udhëzuesit e MASH-it, mësimi do të ndërpritet në shkollat ku identifikohen raste me virus.
Shkollat e Komunës së Gjakovës janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

“Si institucion komunal jemi përkujdesur maksimalisht, që të bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillim të mbarë dhe të sigurtë të këtij procesi” ka th;n;  Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj duke shtuar se  gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë, janë në bashkëpunim dhe mobilizim të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, bazuar në master planin e miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe dokumente të tjera për organizimin e mësimit në kushte pandemie.

Exit mobile version