Me aktivitete të shumta kremtohet Festa e shkollës Mazllum Këpuska
Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët “Mazllum Këpuska”, në Gjakovë, pas një jave me plot veprimtari kulturore e artistike, të premten , me një ceremoni rasti kanë kremtuar 60 vjetorin e themelimit të kësaj vatre arsimore. Për të arriturat dhe historikun e shkollës ka folur drejtori i këtij institucioni arsimor Arbnor Pozhegu i cili ka falënderuar për angazhimin e shumë arsimtarëve dhe arritjet e suksesshme në edukim të 60 gjeneratave me radhë.
Ndërsa, Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, duke e vlerësuar lartë angazhimin e strukturave arsimore në këtë vatër shkollore dhe të arriturat e nxënësve , ka thënë se “Mburremi që marr pjesë në këto data të shënuara e me një historik të veçantë të dijës dhe shkencës”. Gjithashtu Kryetarja ka thënë se gjithë këto vlera që janë shënuar në këtë shkollë do të pasurojnë jo vetëm personalitetin e çdo nxënësi apo arsimtari por në përgjithësi edhe arsimin dhe edukimin në komunën e Gjakovës. Kryetarja ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe IOM për ndihmën në kompletimin me pajisje të sallës së edukatës fizike dhe ka premtuar përmirësim të vazhdueshëm të infrastrukturës në shkolla, posaçërisht në modernizimin e shkollave në mënyrë që të përmirësohen kushtet për dije dhe edukim.