Me fat Kurban Bajrami
Besimtarët islam të enjten kremtojnë Kurban Bajramin. Në vigjilje të natës së Bajramit, bashkëqytetarët tanë po i bëjnë përgatitjet për kremtimin sa më solemn të kësaj feste tradicionale. Furnizuesit tregtar, e në veçanti ata të prodhimeve ushqimore dhe ëmbëlsirave, këto ditë e kanë shtuar spektrin e ofertës së prodhimeve të tyre. Përgatitje janë bërë edhe në ambientet familjare si për tryezën festive ashtu edhe rreth gatimit të ëmbëlsirave tradicionale. Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë, ka bërë të ditur se Falja e Namazit të Bajramit do të bëhet nesër në orën 7 e 01 minuta në të gjitha xhamitë e qytetit, ndërkaq ceremoniali kryesor i faljes së Bajramit bëhet në xhaminë e Hadumit.. Si gjithë herë me rastin e festes së Bajramit, në ambientet e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, nesër prej orës 9 deri në orën 11 organizohet pritje për mysafirë dhe vizitorë. Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Visar Koshi thekson se Festa e Kurban Bajramit është një ndër festat bazë të fesë islame dhe përmes valëve të Radio Gjakovës ka përcjellë edhe mesazhin për këtë festë që ka të bëjë me solidaritetin, mirësinë dhe paqen.
‘Ti ndihmojmë njëri jetrit, t ia zgjasim dorën e pajtimit dhe ti ndalojmë armiqësitë vëllazërore, për të mirën e përgjithshme’ ka thënë Koshi.
Me rastin e Kurban bajramit , Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban – Bajramit, duke lutur Zotin që të pranoj Haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona.
Urimit i bashkohet edhe redaksia e Gjakovapress.