Mërgimtarët në numer më të vogel
Bashkatdhetarët që tashmë kanë filluar të vijnë për pushime në Gjakovë, po ankohen se vendlindja nuk po u ofron mundësi për pushim dhe argëtim. Sipas tyre, kafiteritë dhe restorantet e shumta, e aty këtu ndonjë pishinë, janë të vetmet ambiente relaksuese, e të cilat megjithatë nuk po i plotësojnë nevojat dhe dëshirat e tyre.
“Të them të drejten nuk po kalojmë edhe aq mirë. Përveç faktit se po çmallemi me familjarët dhe miqtë tanë, asgjë tjetër nuk po na tërheq të vijmë këtu. Kam dy javë që kam ardhur në Gjakovë dhe përveç kafiterive nuk pata mundësi të gjej ndonjë formë tjetër të argëtimit. Nuk ka teatër, nuk ka kinema, nuk ka asnjë aktivitet tjetër kulturor e sportiv ku ne mund ta kalonim kohën e lirë”, thotë për gazeten Kaltrina Bytyqi, e cila pas një viti të lodhshëm në Zvicër, kishte vendosur që pushimet e verës t’i kalojë në vendlindje.
Edhe Ilir Hoxha, një tjetër bashkëatdhetar, thotë se pushimet janë tejet monotone, dhe po të mos kishte qenë familja në Gjakovë, shumë rrallë do të vinte këtu.“Më kujtohet përpara kemi pasur mundësi të shumta argëtimi. Vetëm Liqeni i Radoniqit, dhe lumejt Drini e Ereniku kanë qenë pika të mira e atraktive. Sot asnjëra prej tyre nuk janë në funksion. Në liqe nuk na lejuan të hyjmë, ndërsa në Dri e Erenik ishte shkatërruar gjithçka. Janë dy –tri pishina, por realisht aty është tollovi e madhe e nuk po ka mundësi për argëtim. Përveç kafiterive, zgjidhje të mira nuk po kemi as në mbrëmje. Sinqerisht nuk po na mbetet ndonjë arsye që të vijmë edhe në të ardhmen”, thotë ai, ndërsa tregon për një zgjidhje tjetër që disa bashkatdhetarë po e aplikojnë viteve të fundit.
“Shumë prej mërgimtarëve para se të vijnë në Kosovë po shkojnë me pushime në Turqi, Spanjë, Francë apo Itali dhe pjesen e mbetur të pushimin, që zakonisht nuk është më shumë se 10 ditë, po vijnë në Kosovë. Mbase këtë formë do ta zgjedh edhe unë në të ardhmen. E di që do të kishte qenë shumë më mirë që paratë tona të vijnë këtu e jo të shkojnë dikund tjetër, por përderisa shteti nuk mendon seriozisht për ne, atëherë nuk më duket e drejtë që ne të sakrifikojmë për këtë shtet”, vazhdon Iliri.
E mbase kjo formë e aplikuar nga mërgimtarët, duket se ka ndikuar që sivjet numri i atyre që kanë ardhur për pushime të jetë shumë më i vogël se vitin e kaluar apo vitet para tij. Kjo padyshim që ka ndikim edhe në krijimin e një vere jo edhe aq të gjallë në Gjakovë, por mbi të gjitha ka ndikim edhe në moszbutjen e krizës ekonomike, të paktën gjatë kësaj periudhe të pushimeve. Këtë fakt e kanë vërejtur edhe vendasit, qytetarët e Gjakovës, të cilët thonë se numri më i vogël i bashkatdhetarëve po sjell më pak aktivitet biznesor.
“Kurrë më pak nuk kanë ardhur sesa këtë verë. Gjynah tregtarët që kanë shpresuar më kot se do të kenë qarkullim. Të shkretët janë furnizuar me mjaft mund e sakrifica dhe siç po shihet malli do tu mbetet në dyçan”, thotë Ibrahim Zhuri, një pensionist nga Gjakova.
Që nga fillimi i qershorit, institucionet lokale nuk e kanë organizuar as edhe një aktivitet për t’i mirëpritur dhe argëtuar mërgitmarët. Duket, se ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, këto institucione do të mjaftohen me një koncert modest në muajin gusht, gjë që lehtë kuptohet se nuk është i mjfatueshëm dhe joshësh për mërgimtarët.(Artan Z. Haraqia– “Zeri”)