Monday, December 30, 2024
KulturëLajme

Mesazhe të fuqishme të Nexhmije Pagarushes

 Pas vdekjes së legjendës së muzikës, Nexhmije Pagarusha,  komuniteti artistik dhe adhuruesit e muzikës në të gjitha trojet shqiptare kanë shprehur ndjenjën e dhimbsurisë për shuarjen e saj në moshën 86 vjeçare. Ishte e dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada. Edhe gjakovarët e kujtojnë me krenari Bilbilin e Kosovës. Solistët dhe artistët gjakovarë kujtojnë me ëndje takimet me Nexhmije Pagarushen,  duke i cilësuar lartë virtytet e saja.

Sa herë vinte në Gjakovë në manifestime të ndryshme kulturore Nexhmije Pagarusha shprehte respektin e madh për muzikën popullore shqipe dhe  për kulturën muzikore të Gjakovës.  Ishte  një  artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur dhe do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.

Revista mbarëkombëtare  kulturore Miss, me seli në Gjakovë, që shumë vite më parë mbante manifestimet kulturore Top 10,  me këngëtarët më të shquar të muzikës në Kosovë, mysafire të veçantë kishte gjithmonë Nexhmije Pagarushen. Për ta kujtuar këtë divë të muzikës, nga arkivi kemi shkëputur një mesazh të saj dhënë në spektaklin  e Gjakovës MISS Top 10, me 2003 mes duartrokitjeve të zjarrta.

 “Pse më doni?! Edhe unë iu dua shumë. Dhe,  mos të ishte ky popull me një kulturë të lashtë, që unë mburrem që i takoi këtij populli,  edhe unë nuk do të isha kjo që jam,  që më adhuroni. Më vjen shumë mirë që rinia jonë po shkon përpara, po këndon, edhe mbi gjithë atë  që na ka ndodhë, ne prapë kemi fuqinë të mbijetojmë mbi gjitha ato që përjetuam. Jam shumë e lumtur se kohën time kam qenë shumë e vetmuar. Më ka bërë shoqëri kënga e bukur popullore shqipe dhe unë asaj . Pra kisha qenë e lumtur sikur  tash të isha me këta  kolegët e mi të mrekullueshëm dhe ti tregojmë botes se çfarë muzike kemi. Kolegëve të mi dhe atyre që vijnë pas tyre, iu dëshiroj që vetëm me anë të shpirtit, si e kemi ne shpirtin e bardhë të popullit tonë  ti tregojmë botes se kush jemi ne.

Po e citoj një thënie të Frojdit: Çdo e mbërritur kulturore është një barrikadë kundër agresorit të luftës …” ishte mesazhi i Nexhmije Pagarushes në Gjakovë në vitin 2003 në spektaklin TOP 10 të revistes MISS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *