Kryetarja e re e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka falenderuar qytetarët e komunës për daljen masive në zgjedhjet e balotazhit. Në një konferencë për gazetarë, qytetarët e komunës i ka falenderuar edhe për festim dinjitoz.
“Na gëzon fakti se votimi, por edhe festa, kaloi pa asnjë incident të shënuar dhe çdo kush në mënyren e vet e gjeti formen të festonte, por gjithashtu edhe të respektonte vullnetin e qytetarëve të komunës së Gjakovës e për këtë dua t’i falenderoj”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se sot (e hëne) është lansuar një informatë se në ora 12:00 do jem në Kuvendin Komunal , porse AKR-ja ka reaguar menjëherë duke ju rikujtuar se pranim-dorëzimi i detyrës do bëhet pas certifikimit të rezultatit.
E pyetur se cilat janë prioritetet e saj menjëherë pasi të trashegojë postin e të pares së Gjakovës, Kusari-Lila ka thënë se puna më urgjente mbetet ngrohja në shkolla dhe menaxhimi i rrugëve, gjendja e keqe e të cilave mund të rrezikojë qytetarët e komunës së Gjakovës.
Ajo ka shtuar se do bëjë të pamunduren për të ulur shpenzimet e Komunës, ndërsa ka premtuar se nuk do ketë punësim partiak të militantëve, pasi sipas saj, askujt nuk i ndjehet borxh, pos votuesit të komunës së Gjakovës besimin e të cilëve do ta kthejë me punë.