Gjakovapress

Miqësia e nxënësve të sh.f“Kelmend Rizvanolli”- me Dritëro Agollin

Venera me nexenes 1
Nxenesit me mesuesen Venera kurreshtar ndaj tregimit te Agollit

Nxënësit e klasës e V-4 të shkollës fillore Kelmend Rizvanolli me mësuesen Venera Caka kanë krijuar një urë miqësie me poetin e madh Dritëro Agollin. Shkas i kësaj miqësie ishte tregimi i poetit me titull “Ujku”. Tregimi ishte mjaft tërheqës dhe intrigues për nxënësit pikërisht për faktin se i mungonte pjesa e fundit. Nxënësit gjakovarë dhanë mendimet e tyre për përfundimin e tregimit, ato ia derguan Agollit dhe morën përgjigje intersante bashkë me urimin për Vitin e Ri.

Para disa ditësh , nxënësit e klasës V 4, të shkollës fillore,,Këlmend Rizvanolli”me mësuese Venera Caka, iu drejtuan me një letër poetit tonë të madh , Dritëro Agolli.   Shkak për këtë u bë tregimi ,, Ujku” i shkruar pikërisht nga Dritëro Agolli , i cili në të tregon dhe përshkruan një ngjarje nga jeta e tij kur ishte nxënës. Tregimi ishte mjaft tërheqës dhe intrigues për nxënësit pikërisht për faktin se i mungonte pjesa e fundit . Kjo nxiti debatin mes mesuese dhe nxënësve.

Mesuesja i tregon autorit te shkrimit letren e Agollit

“Duke u nisur nga kjo unë  pyeta nxënësit se si ka përfunduar ky tregim gjegjësisht  si arriti ky djalosh të shpëtojë nga ujqit .Nxënësit dhanë shumë ide interesante , por pasi që shkrimtari është gjallë ne patëm mundësi t’ia drejtojmë këtë pyetje atij dhe kështu ta mësojmë të vërtetën, “ thotë mësuesja Venera Caka duke shpalosur letren. Ja çfarë i shkruan nxënësit në letër Dritëro Agollit”:

I dashur xhaxhi Dritëro,                        5.12.2013

Ne që po të shkruajmë jemi nxënës të klasës së pestë, të shkollës fillore ,, Këlmend Rizvanolli “ me mësuese Venera Caka , nga Gjakova. Ne kemi lexuar libra dhe tregime të shkruara nga Ju dhe na kanë pëlqyer shumë. Së fundmi kemi mësuar tregimin ,, Ujku “ , I cili na ka bërë shumë kuriozë për atë se çfarë keni treguar dhe përshkruar rreth përballjet tuaj me ujqit kur ju ishit 13 vjeç. Pasi që e keni shkruar në vetën e pare , ne mendojmë se kjo ngjarje ju ka ndodhur vërtetë. Në fund keni shkruar: –  Po fillonte të ngrysej, po ujku vazhdonte të rrinte i shtrirë nën këmbët e mia me veshë të ngritur , duke më ndjekur.

Nga kjo që keni shkruar nuk e kemi kuptuar se si arritët të shpëtoni nga ujqit. Për këtë mësuesja na nxiti që të japim mendimet tona rreth mundësive që ju keni pasur për të shpëtuar. Ne dhamë këto mendime:

Dritero Agolli, i dashur per femijet gjakovarë

–         Mund të ketë kaluar ndonjë kafshë tjetër aty afër dhe ujqit do ta kishin ndjekur atë dhe kështu ke shpëtuar.

–         Mund të kenë ardhur fshatarët me çifte dhe të kanë shpëtuar.

–         Mund të jenë lodhur ujqit duke pritur dhe i ka zënë gjumi kështu që ti ke ikur, etj.

Ne duam të dimë se cila është e vërteta. Do të ishim shumë mirënjohës nëse do të na tregoje. Urojmë që letra jonë t’ju gjejë mirë me shëndet, i dashur xhaxhi Dritëro.        Rrofsh sa malet!

Ju përqafojmë me shumë dashuri nxënësit e klasës V 4:   Jonila , Meri , Aroma , Tima , Dea , Ambra , Arioni , Dielli,  Olti, Oki , Blodi , Shkambi , Arrita , Valëza , Erlisi , Arti, Era, Mjellma,  Blinori , Rolindi , Erisa , Alda , Andi , Rrezoni ,  Medina, Rrezja dhe mësuesja jonë Venera Caka

Mësuesja thotë se letrën ia dërguam por nuk ishim të sigurt se a do të ketë poeti kohë të merrej me pyetjet tona. Kishim parasysh angazhimet e shumta, letrat e shumta që merrë anëkënd, pastaj pleqërinë…

“Mirëpo pas disa ditëve , pikërisht me datën 17.12.2013 , në klasë hyri portiri i shkollës i cili mbante në dorë një zarf të madh me ngjyrë të verdhë. Me ta parë nxënësit, brohoritën njëzëri ,, Na erdhi letra nga Dritëro Agolli”. Ishte një emocion shumë i madh dhe i papërshkrueshëm. Kur e hapëm zarfin , pamë që përveç letrës Ai na kishte dërguar edhe dy kartolina për Vitin e Ri , një për mësuesen dhe një për nxënësit e klasës sonë si dhe për të gjithë nxënësit e shkollës. Gjithashtu në zarf e kishte futur edhe librin e tij ,,Zhurma e erërave të dikurshme” , të cilin ia kishte dhuruar mësueses “ thotë Caka.

Letra e Dritero Agollit gëzoi nxenesit gjakovarë

Në letrën e tij shkruante: Të dashur nxënës të Gjakovës, e nderuara mësuese,

Mua më ka prekur shumë letra juaj e përzemërt dhe e kulturuar. Unë menjëherë kuptova , se edhe fëmijëria juaj është e barabartë me fëmijërinë time , pasi edhe unë bëja me mendjen time pyetjen ,,pse”. Njeriu rritet me të thjeshtën ,,pse”, pastaj kalon në ,,po” dhe ,,jo”, pasi ,,jo” dhe ,,po” janë më të ndërlikuara se ,,pse”.  Këtë hyrje në përgjigje të letrës suaj unë e bëra më shumë për të shumënderuarën mësuese, po edhe për ju të shumëdashur nxënës.

Tani për tregimin,,Ujku” mbi të cilin vini me të drejtë pyetjen ,,pse”. Tregimin ,,Ujku” unë e kam shkruar në vitin 1963, kur isha në moshë 32 vjet. Është një ngjarje e vërtetë. Kur isha i vogël ndiqja një shkollë, që ishte larg nga fshati im( Merkulas) 16 kilometra. Një ditë dimri me dëborë më dolën nga larg 3 apo 4 ujq të mëdhenj me një të vogël , sa një këlysh.Që të shpëtoja unë u ngjita në një lis. Ujqit poshtë meje vini rrotull, ndërsa unë , megjithëse hiqesha si trim, dridhësha. Ndërkohë erdhën gjahtarët dhe qëlluan me çifte ujqit. Duke qëlluar ata vranë vetëm ujkun e vogël, siç thoni ju në Gjakovë: vocërrak. Mua më erdhi keq dhe iu thashë gjahtarëve:  – Ju duhet të vrisnit ujkun e madh , jo të voglin. Libri im ,, Zhurma e erërave të dikurshme”, kur u botua më 1964 , u ndalua edhe për tregimin ,, Ujku” , pasi mendonin se unë gjoja kisha në mendje të vritej një udhëheqës i rëndësishëm, jo një nëpunës i vogël siç ishte këlyshi i ulkonjës. Fatkeqësisht, sot në tekstet shkollore këtij tregimi ia kanë hequr fundin , ku del edhe ideja kryesore përse është shkruar.   Ideja ime është : shpesh në jetë e pëson i pafajshmi.

Me këtë rast iu uroj përzemërsisht Vitin e Ri 2014, mbarësi dhe arritje në mësime!        Përqafime  Dritëro Agolli

Kështu e përmbyll letrën dërguar nxënësve gjakovarë , shkrimtari I madh Dritëro Agolli duke sjellë gëzimin e madh për ta dhe duke  hapur shtigje miqësie e dashurie akoma më të madhe të nxënësve  për letërsinë.

(zeki vehapi)

 

Exit mobile version