Në një manastir të harruar diku në malet e Bullgarisë, një grup të çmendurish arrijnë të organizohen në një tog ushtrie dhe të papenguar ta bëjnë një udhëtim nëpër Ballkan e Evropë, deri në Strasburg të Francës. Në rolin kryesor, atë të kolonel zogut është paraqitur aktori i ri Bujar Ahmeti, loja e të cilit është pritur shumë mirë nga publiku.
Po ashtu me duartrokitje të mëdha është përcjell edhe loja e aktorit Ylber Bardhi, i cili me disa moment tejet komike i ka dhënë fuqi tërë shfaqjes. E përveç Ahmetit dhe Bardhit, në këtë shfaqje janë paraqitur edhe Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Altina Kusari, Ylber Mehmeti dhe Valon Pallaska.
Pas shfaqjes, regjisori i saj Erson Zymberi tha se është mrekulluar me publikun gjakovar dhe me lojën profesionale të aktorëve të Teatrit të Gjakovës, prandaj ka shtuar se një institucion i tillë meriton përkrahje shumë më të madhe institucionale.
Ndryshe, sipas drejtorit të Teatrit Profesionist të Gjakovës, Edi Kastrati, po punohet që premiera e ardhshme të jetë diku në muajt nëntor apo dhjetor. /radiogjakova.info/