Mirush Kabashi emocione në skenën e Gjakovës
Skena e pallatit të kulturës Asim Vokshi në Gjakovë të mërkurën në mbrëmje u përshkrua nga interpretimi I shkëlqyer I aktorit të madh Mirush Kabashi dhe duatrokitjet bashkë me lule që ia dhuroi kryetarja e komunes Mimoza Kusari Lila . Këto duartrokitje u dhuruan për shfaqjen “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” të filozofit dhe dramaturgut francez Eric Emanuel Schmitt e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Komuna e Gjakovës në kuadër të “Netëve frankofone”.
Dramaturgu francez Eric Emmanuel Schmitt mendoi se do të sillte një element provokues kur shkroi veprën e tij “Zotit Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, duke ridimensionuar fenë islame në një dritë pozitive. Thirrja e një francezi katolik ishte hedhja e dritës mbi dallimin e ndryshimit mes fesë islame, si një fe që frymëzon miliona njerëz, dhe disa militantëve. Schmitt duke qenë dhe një filozof teatri, e vërejti këtë gjë dhe e shkroi pa ngurrim në një vend ku jetonin të gjithë bashkë si Izraeli, ku arabë, hebrenj dhe të krishterë përdornin shprehje myslimane për optimizmin e tyre. Në një e shkriu gjithë këtë bashkëjetesë, duke i dhënë teatrit monodramën “Zotit Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Ky frymëzim i dramaturgut hebre ka qenë një grishje e hershme për aktorin Mirush Kabashi.
Kjo monodramë është vënë në shumë skena të botës, në shumë teatro të njohur të çdo këndi të saj. Vetëm në Gjermani ajo është vënë në skenat e 20 teatrove të ndryshëm. Disa nga shtetet ku kjo pjesë ka pasur sukses janë Amerika, Japonia, Turqia, etj, etj. Kudo ku është shfaqur pjesa ka pasur shumë sukses dhe është mirëpritur. Mbi këtë subjekt, Franca ka xhiruar një film.
Aktori Mirush Kabashi e ka konsideruar një sfidë të dytë për karrierën e tij këtë monodramë, pas suksesit që pati me “Apologjinë e Sokratit”. Motivet që e kanë bërë aktorin të vërë në skenë këtë pjesë kanë qenë pikërisht mesazhet njerëzore që ajo përcjell, mesazhe që janë të nevojshme për psikologjinë shqiptare, mesazhe që formojnë anën njerëzore, që i drejtohen realitetit të dhimbshëm, realitet që ka të bëjë me psikologjinë e përftimit në pikëpamjen materiale.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës por me origjinë është nga Gjakova. Ai është një nga aktorët më në zë të Shqipërisë, duke i dhuruar kinematografisë, por edhe teatrit kombëtar, mjaft role interesante që i kanë rezistuar kohës ndër vite. Origjina e tij është nga Kosova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.
Mjeshtri i madh i skenës Mirush Kabashi ka transmetuar sonte emocionin e tij menjëherë pas interpretimit të monodramës duke qenë se është vënë në skenën e qytetit të dashur , qytetit të lindjes së babait dhe duke e konsideruar spektatorin gjakovar si njohes i mirë i vlerave kulturore dhe mjaft artëdashës.