Thursday, March 28, 2024
Kulturë

Mitingu i 56-të i Poezisë në Gjakovë me një paraqitje online

Në qytetin e traditës për fjalën e shkruar poetike, në Gjakovë,  të premten në mbrëmje u  mbajt Mitingu e  Poezisë,  edicioni i 56-të. Për shkak të rrethanave të krijuara me pandeminë, mitingu i sivjemë u organizua online duke u kyçur në rrjetin e fesjbukut të Klubit Letrar Gjon Nikollë Kazazi. 

Ky është manifestimi më i rëndësishëm dhe më me peshë në aktivitetin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi’’. Ky miting për herë të parë u organizua dhe u mbajt nga letrarët e Gjakovës. Në fillim kishte karakter lokal, gjegjësisht komunal deri në vitin 1967, kur vendoset që të merrë karakter më të gjerë,  kosovar.. Mitingu i parë i poezisë u mbajt në vitin 1964. Mitingu  i parë u mbajt në Parkun e qytetit të Gjakovës ku vargjet e tyre i lexuan kryesisht poetët nga Gjakova si: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Ali Olloni, Ganimete Nura, Masar Kupa, Hasan Hasani dhe Nusrete Vula.

Derisa para 56 viteve ky manifestim letrar u mbajt në parkun kryesor të Gjakovës, mbrëmë  ky aktivitet u  mbajt përmes internetit dhe fejsbukut duke përfshirë tribunën letrare me temën “Letërsia e të rinjëve dhe botimet” si dhe  Ora  qëndrore e poezisë. Poezitë në këtë miting i kanë lexuar poet nga Kosova, Shqipëria, Italia, Polonia, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia Veriore e vende të tjera.

 U ndanë çmimet tradicionale të mitingut. Shkrimtarja shqiptare, Entela Kasi, është fituese e  çmimit  për poezinë më të mirë të lexuar në mitingun e poezisë që është mbajtur mbrëmë . Kasi çmimin që mbanë emrin e poetit, Ali Podrimja” e ka fituar për poezinë  me titull  “Të paqtë në mrekullinë e krijimit, jetës”. Çmimet tjera janë ndarë për poetin, Agron Tufa, i cili me veprën  “Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush”  ka fituar çmimin “Din Mehmeti” që jepet për librin më të mirë te botuar në mes dy mitingjeve.  Ndërkaq shkrimtarët, Ibrahim Kadriu dhe Besnik Mustafaj, kanë ndarë çmimin për prozën më të mirë,  që këtë vit është dhënë për herë të parë dhe  mbanë emrin e shkrimtarit, “Teki Dervishi”. Ibrahim Kadriu është vlerësuar për romanin “Ata dy të burgjeve”, ndërkaq, shkrimtari nga Shqipëria, Besnik Mustafaj, për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”.  Ndërkohë çmimi për vepër jetësore i është ndarë poetit gjakovar, Tahir Bezhani, ndërkaq cmimi për krijuesin debutues, “Taleti i ri “Yllka Domi”, i është ndarë poetes,  Jetlira Avdija. Ndërsa poetja italiane, Maria Miraglia, ka fituar çmimin ndërkombëtarë “Nëna Terezë”. Mitingu u sivjemë i poezisë,  që organizohet nga klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ndryshe nga vitet e kaluara është mbajtur online, për shkak të rrethanave me pandeminë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *