Ky mjuzikël, si gjini deri tani e papërpunuar në Kosovë, kishte parë dritë, në Kosovë, në pranverën e sivjetshme, falë producentëve zviceranë Dorothea dhe Georg Fankhauser si dhe lojës së mrekullueshme të korit të shkollës së mesme të muzikës në Gjakovë.
„Arjeta & Gëzimi“ është një rrëfim rinjohjeje dhe dashurie në mes të dy të rinjve që sapo kanë filluar udhëtimin e ndërtimit të jetës së tyre. Ballafaqimi me të kaluarën dhe me disa prej rreziqeve të aktualitetit tonë e shndërron këtë udhëtim në një aventurë të rrezikshme e plot peripeci…
Dorothea dhe Georg Fankhauser, duke parë suksesin e këtij mjuzikli në Kosovë, të shfaqur para publikut, gjakovar, prishtinas, pejan dhe prizrenas, vendosën që atë ta bartin edhe në Zvicër, përkatësisht në Kantonin e Bazelit dhe të Cyrihut. Këto paraqitje do të jenë edhe pjesë e projektit „Culture scapes” që është një festival kulturor zviceran e që për temë ka Ballkanin.
Producentët Fankhauser janë më se të entuziasmuar me këtë vepër dhe me padurim presin performancën e këtyre të rinjve para publikut zviceran, por edhe para mërgatës shqiptare në Zvicër.
„Gjithçka është gati, tashmë edhe vizat për nxënësit e gjimnazit muzikor të Gjakovës i kemi siguruar dhe, natyrisht, presim shkëlqimin e tyre në sallat respektive të Bazelit e të Cyrihut“, thotë Georg Fankhauser, i cili duke shprehur mirënjohje për rolin informues të Albinfos, pret që „albinfo.ch“ të jetë një „postë e porositur“ për çdo familje shqiptare në Zvicër për këtë ngjarje kulturore.
Në rolet kryesore të këtij kjuzikli do të paraqiten: Edonjeta Hajdari (Arjeta), Vali Kuqi (Gëzimi), Ylber Bardhi (Shaqiri) etj.