Territorin e komunës së Gjakovës mbrëmë e deri sot në mëngjes e ka përfshirë një mot i ligë me erë të fuqishme dhe reshje të mëdha shiu. Raportet nga terreni flasin për vërshime dhe për dëme të shtyllave elektrike posaçërisht në fshatrat e zonës së Rekës së Keqe ku lumi Erenik bashkë me rrjedhat tjera të mëdha nga e gjithë zona, kanë përmbytur edhe sipërfaqe të arave, kanë dëmtuar shtylla elektrike dhe rrugë e Ura. Një familje në fshatin Ponoshec është evakuuar nga ekipet e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Gjakovë. Gjendja më e rënduar pos Ponoshecit, në orët e mëngjesit është treguar edhe në fshatrat Botushë, Molliq, Popoc dhe Shishman ku është dëmtuar ura. Aktualisht kjo urë është e pakalueshme. Dëmë , kryesisht në rrjetin elektrik ka edhe në zonën e Dushkajës dhe të Hasit.
Besim Meqa , zyrtarë i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim tha për radio Gjakovën se gjatë tërë ditës janë në terren për të vëzhguar dhe vlerësuar situatën dhe varësisht nga gjendja për të ndërmarrë masa të duhura. Pas vërshimeve gjatë natës të disa zonave kah kanë kaluar përroskat e vogla, uji ka filluar të kthehet në shtretër. Në ditët vijuese do të bëhen vlerëismet e përgjithshme të këtyre dëmeve.