Gjakova është stolisur me flamuj shtetëror dhe kombëtarë, ndërkohë që moti i bukur e ka bërë akoma më të këndshme kremten e 6 Vjetorit të Pavarësisë së Kosoves. Komuna e Gjakovës kremtimin e 6 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, e ka filluar me homazhe, nderim e respekt në varrezat e dëshmorëve të Qytetit, të martirëve të luftës në Meje, dhe të varrezave në Çabrat. Kryetarja Mimoza Kusari- Lila bashkërisht me bashkëpunëtorët e saj dhe familjarët e martirëve dhe dëshmorëve ka vënë kurora lule në varrezat e dëshmorëve dhe me këtë rast ka thënë se 6 vjetori i pavarësisë së vendit tonë është një festë me emocione të përziera, dhembje dhe krenari. Në këtë ditë ka edhe motive pikëlluese për të gjithë ne por veçmas për familjarët e dëshmorëve që këta të fundit derdhen gjakun për ditën e sotme për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara, në shënimin e gjashtëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, të dielen në mbrëmje me një koncert festiv janë prezantuar shoqata “Sofra Gjakovare” nga Shkupi. Para publikut me këngë qytetare gjakovare janë paraqitur grupi muzikor “Suma”, pastaj Kanita e “ X Factor”, Blerim dhe Arjana Grubi, grupi i valleve “Emin Duraku”, ndërkaq mysafir special ka qenë doajeni i muzikës popullore Ismet Peja. Në këtë koncert festiv njiherit është bërë edhe binjakëzimi i Shoqatës “Sofra Gjakovare” nga Shkupi me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”.
Në emër të organizatorit të këtij koncerti simbolik, Komunës së Gjakovës, të pranishmit i ka uruar dhe përshëndetur kryetarja, Mimoza Kusari Lila, e cila në fillim të fjalës së saj përkushtuese, ka pohuar se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që në vigjilie të festës së pavarësisë, Gjakovës po i rikthehet buzëqeshja dhe dëshira për të shkuar tutje, me zhvillim dhe mirëqenie. Më tej, në fjalën e saj, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka thënë se “ndjehem e lumtur edhe për faktin që sonte këtu kemi rikthyer personalitete, artistë, këngëtarë, gjakovarë, banorë të Shkupit të cilët kultivuan në vazhdimësi traditën e vendlindjes së tyre, krijuan një Gjakovë të vogël në Maqedoni, shtruan shumë sofra, kënduan shumë këngë, falën shumë buzëqeshje dhe si të tillë, sonte vinë me dashuri për vendin e tyre të këndojnë në djepin që i rriti”. Përsa i përket rëndësisë së bashkëpunimit, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka vlerësuar se “rëndësia e nxitjes së bashkëpunimeve të tilla ruan dhe mbron vlerat kulturo historike që ka Gjakova, Shkupi dhe Shkodra”. Në pohimet e mëtejme në vlerësim të këtyre tri qyteteve, kryetarja Mimoza Kusari Lila është shprehur se “jo rastësisht, këto tri qytete janë edhe emblema të mbarë kombit shqiptar, sepse këto tri vende krijuan një identitet për të gjitha trevat tjera shqiptare. Shqiptarët u dëshmuan, u thirrën dhe u identifikuan me historinë, kulturën, shkencën që krijoi Gjakova, Shkodra dhe Shkupi. Si kryetare e Komunës së Gjakovës do angazhohem që të forcojmë bashkëpunimin në mes të tri qyteteve duke formuar kështu një trekëndësh të çmuar për projektet e së ardhmes të cilat kryesisht ndërlidhen në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e turizmit dhe të kulturës”.
Në përmbyllje të fjalës, kryetarja Mimoza Kusari Lila, duke uruar për binjakëzimin e dy shoqatave është shprehur se “ si intelektualë të dy shoqatave, “Sofra Gjakovare e Shkupit” dhe Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, më keni dhuruar nderin dhe krenarinë që ju kam bashkëqytetarë. Vlerat që ju dhuroni,në çdo fjalë që flisni, në çdo vepër që bëni janë mundësia më e mirë për të dëshmuar edhe një herë se Gjakova është vendi i bekuar për gjithë shqiptarët. I bekuar me vlera, traditë, histori të bujshme dhe identitet të gjithanshëm. Jam shumë krenare që edhe këtë festë e keni madhështuar me programin që keni përgatitur për ne, andaj nuk më mbetët gjë tjetër të shtoj, përpos që t’u ju uroj të gjithëve festën e pavarësisë, duke ju siguruar se ky është vetëm fillimi dhe në çdo manifestim do mbes e angazhuar që të rikthejë në Gjakovë gjakovarët nga katër anët e botës”.
Këtë manifestim e ka bërë madhështor edhe pjesëmarrja e piktorëve gjakovar nga Shkupi. Në foajen e Pallatit të Kulturës Asim Voshi është hapur ekspozita e piktorëve më të njohur gjakovar që jetojnë e veprojnë në këtë kryeqendër të Maqedonisë. Në këtë aktivitetet kulturo artistik punimet e tyre të artit e pikturës I kanë ekspozuar si Bedri Saraqini, Fatmir Stavileci, Alma Shefki Saraqini, Arben Beqiri e të tjerë.