Gjakovapress

Ndërron jetë veterani futbollit- Fatmir Rraci

Fatmir rraci
Në moshën 73 vjeçare, të merkuren   ka ndërruar jetë veterani  i  futbollit gjakovarë Fatmir Rraci. Ai për shumë dekada ishte pjesë e klubit të futbollit Vëllaznimi, fillimisht si futbollist deri në vitin 1971, pastaj si trajner dhe punëtorë sportiv. Ishte mjaft aktiv në periudhën e vështirë të sportit kosovar kur u pavarësua futbolli kosovar ndërsa ndeshjet zhvilloheshin në terrene të papërshtatshme dhe nëpër luadhe.

Gjakovë, 1967/1968 Vëllaznimi për herë të parë kampion i Kosovës Lartë : Faik Morina, Zija Halilosmani, Ibrahim Shehu, Sali Vula, Myhedin Dujaka, Xhafer Halilosmani, Fatmir Rraci, Fatmir Zhubi. Poshtë : Sadri Batusha, Jakup Kuqi, Luan Vokshi, Halil Vula

Fatmir Rraci I takon brezit të futbollistëve të viteve të 60-ta kur Vëllaznimi kishte gjeneratën e artë duke u bërë radhazi pesë herë kampion  dhe kështu  me kontributin e tij dhe të bashkëlojtarëve  ka bërë që skuadra gjakovare të shënoi sukseset më të mëdha në historinë e klubit.

Gjakovë, 7 prill 1968. Para takimit me Radniçkin e Vushtrisë Lartë : Bedri Zhubi, Avdi Jusufi, Zija Osmani, Sali Vula, Myhedin Dujaka, Halil Vula, Fatmir Zhubi. Poshtë : Fatmir Rraci, Sadri Batusha, Jakup Kuqi, Luan Vokshi

Adhuruesit e futbollit jo vetëm në Gjakovë, Fatmir Rracin  do ta kujtojnë përherë si një njeri që tërësisht i ishte dhënë futbollit, pastaj për lojën e mirë dhe angazhuese  sa ishte futbollist, për këshillat si trajner dhe për përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e futbollit gjakovar.

Federata e Futbollit të Kosovës ka shprehur pikëllimin e saj pas lajmit për vdekjen e Fatmir Rracit, futbollistit të brezit të artë të KF “Vëllaznimi”.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, në emrin e tij, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve e futbolldashësve i ka shprehur ngushëllimet më të thella e të sinqerta familjes së tij.

“Kontributi i Fatmirit ishte tepër i madh dhe i çmueshëm për futbollin e Kosovës e në veçanti për KF “Vëllaznimi”. Ai ia kushtoi një jetë të tërë futbollit dhe të gjithë ne do ta kujtojmë me pietet Fatmirin veprën e tij, e cila la gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës”, thuhet në ngushëllimin e Vokrrit.

“Në këto momente të dhembjes tuaj jemi pranë që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj”, përfundon letra ngushëlluese e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Exit mobile version