Friday, March 29, 2024
Gjakova Presss

Në 21 vjetorin e vrasjes së këngëtarit të shquar Esat Bicurri

Krijimtaria e suksesshme  interpretative, koncertet, festivalet dhe duartrokitjet e ngrohta që mori gjithandej trojeve shqiptare ku u dëgjua zëri i  Esat Bicurrit,  u ndalua nga  kriminelët serb, në ditën e sotme me 7 Maj para 21 viteve, tek Ura e Taliqit ku u ekzekutua  së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë.

E vranë fizikisht,  por,  zërin karakteristik  dhe këngën e tij të incizuar,  kurr nuk do ta ndalojnë. Kënga e Esat Bicurrit do të jehoi  gjithnjë.

Esat Bicurri  është këngëtar i njohur. Kujt nuk i kujtohet kënga fituese me “Okarinë të Artë” në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si: “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera.

Ai pas një pune të gjatë hulumtuese dhe pas një përkushtimi për të nxjerrë në dritë krijimtarinë artistike muzikore të trevës së Gjakovës, botoi edhe 2 libra me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë kulturore,   “Një këllëf me ar ta çova” dhe “Ahengu gjakovar në shekuj”. Këto  janë dy vepra të rëndësishme që prezantojnë breza të tërë krijuesish e solistësh gjakovarë në shekuj e që do të shërbejnë për historikun e kulturës muzikore në qytetin tonë.

Esat Bicurri, ka lënë pas vetes shumë këngë popullore të interpretuara, të cilat gjenden të shpërndara në arkiva të ndryshme të ish RTP-së, RTVSH, Radio Gjakovës e tj.

Kosovës do ti mungojë përherë doajeni i muzikës popullore Esat Bicurri,  i cili do të mbahet mend përherë për zërin e tij karakteristik. Esat Bicurri ishte dhe do jetë gjithmonë në zemrat tona.

Ministria e Kulturës së Kosovës krijoi një çmim kombëtar të quajtur Esat Bicurri për përsosmëri në muzikën popullore  qytetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *