Tuesday, November 5, 2024
AktualeKulturë

Në 60 vjetorin e Radio Kukësit dhe 40 vjetorin e Radio Gjakovës DY RADIO , NJË VALË E PËRBASHKËT-SHQIPTARIA

Gjakovarët para 60 vitesh kishin filluar ta dëgjonin me ëndje Radio Kukësin, sepse për gjithçka që ngjante në Shqipëri ndjeheshin të etur në informacion. Krahas Radio Tiranës, gjakovarët me ëndje dëgjonin programet informative e posaçërisht ato muzikore të Radio Kukësit.
Para 40 vitesh gjakovarët e bënë radion e vet, Radio Gjakovën. Nga ajo kohë ata hiqnin mallin e Radio Kukësit me programin e vet. Të dyja radiot në atë kohë me sisteme të ndryshme politike por me një dashuri të përbashkët për njëri tjetrin, për ta prekur Shqipërinë ose për ta ndjerë aromën e Kosovës. Demokracia në Shqipëri dhe liria e pavarësia në Kosovë ndryshuan për 360 shkallë ndjenjën e të qëndruarit larg dhe të bashkimit vetëm me valët e radios. Ne këndej, me valët e Radio Kukësit e ata andej me valët e Radio Gjakovës.
Në këto paralele, këto ditë Tetori të vitit 2019, qëndruam në Kukës tek miku ynë , gazetari shumëvjeçar , e tash drejtor I Radio Kukësit, Jonuz Hallaqi. Ai bashkë me kolegët e tij, dëgjuesit, miqtë, po shënonte 60 vjetorin e fillimit të punës. Ishin në festë. Padyshim se festat tona të përbashkëta nuk bëhen pa njëri tjetrin. Edhe Radio Gjakova po bëhet gati për ta kremtuar jubileun e 40-të të fillimit të punës.
Tetori, për habi, këtë vit erdhi I ngrohtë dhe ne ulemi për të bërë muhabet në një tavolinë restauranti. Jonuzi pinë birrë Peja e unë birrë Korça. Ai i etur si gjithmonë për Kosovën e unë për Shqipërinë. Unë I tregoi se si e dëgjonim Radio Kukësin që nga vitet e 70-ta dhe si na mbushej zemra me shqiptari kur dëgjonim emisionet dokumentare që flisnin për trimërinë e popullit tonë, e ai I numëronte emisionet që nga larg I kishte dëgjuar edhe në valët e Radio Gjakovës!
“E dëgjonim në mësheftësi të madhe Radio Gjakovën dhe Radio Prishtinën. Ishte me rrezik po të mori vesh “pushteti” atëhershëm. Bënim njëqind marifete me antena në radio e transistor për ta dëgjuar sa më qartë programin!”, thotë ai duke vërtetuar se kështu vepronin shumë Kuksian. Për Jonuzin, Kosova ishte ëndërr e madhe e parealizuar deri në luftën e fundit.
“Ngjitesha në kodër për të parë aq sa mundesha kodrat e malet e Kosovës. Thosha me vete , të kisha krih të fluturoja, ta ndjeja aromën e Prizrenit, Gjakovës…Ne bënim një jetë të vështirë, skajshmërisht të varfër, ndërsa një afërm imi që punonte shofer dhe transportonte krom në Gjakovë, na fliste për Gjakovën…”
E unë si gazetar i ri ato vite, i kujtoj Jonuzit, vitet e 80-ta kur vizitoja për të pasqyruar në Radio përditshmërinë e tyre, vendbanimet kufitare i sodisja me mall tokën e Shqipërisë mëmë. Më kujtohet, kur në një vizitë shkollës së Godenit në Has, atëbotë, shihja disa shtëpi matanë kufirit. E drejtori i shkollës më pat thënë se fshati është i ndarë në dysh dhe nxënës të asaj ane, vijnë për të mësuar këtu në shkollë!!! Atëbotë me këtë fakt gëzohesha se nga një ndarje e kufirit të çeliktë , vogëlushët i lejonin të vinin tek ne!!!Habitesha njëkohësisht.
Kukësi dhe Gjakova kanë gjëra që i bashkon. Shumë familje gjakovare në vitet para luftës së dytë botërore, të ndjekur nga pushtuesit në ish jugosllavi, kanë gjet strehë në këtë qytet. Prof. Dr. Masar Rizvanolli, si një historian i shquar, fëmijërinë e ka kaluar në Kukës. Ai kohë më parë kishte rrëfyer për familjet e shumta gjakovare që kishin kaluar vite të tëra në Kukës. Disa nga to kanë mbetur edhe sot e kësaj dite. Radio Gjakova si dhuratë për 60 Vjetor të Radio Kukësit i ka sjellë një reportazhë me këtë temë të prof. Rizvanollit. Përball ambientit ku unë me shokët e mi, Skënderin, Kastriotin dhe Jonuzin , po kuvendonim për ato kohëra, kishim dyqanin e mishit të familjes Kakeli nga Gjakova, që edhe tash në këto vite punon si shumë dekada më parë. Pasardhësi i kësaj familje, Behari që ka ndjekur rrugën e të atit në profesion, për 17 vite mbrojti ngjyrat e klubit të futbollit Kukësi. Ai ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Ishte edhe ndihmës trajner…. (Shkrimi i plotë në Revisten Gjakovapress 131)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *