Sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Radios. UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë. Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin. Radio Gjakova për 43 vjet mbetet zë i besueshëm i informimit dhe argëtimit.
Më 9 Nëntor të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova, dhe u dëgjua në etër “Ju flet Radio Gjakova. Pas largimit të dhunshëm disa vjeçar nga pushtuesi serb, me 14 Qershor 1999, me hyrjen e forcave të NATO-S në Kosovë dhe të UÇK-së, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet. Programi, i sajuar prej një sërë emisionesh informative, foljore-muzikore dhe kulturo-artistike, u bë pjesë e jetës së përditshme në çdo familje, jo vetëm të Gjakovës e rrethinës së saj, por pothuajse i një pjese të madhe të territorit të mbarë Kosovës , ndërsa transmetimi i programit në internet ka mundësuar një dëgjueshmëri në gjithë botën.