Në Gjakovapress Nr. 180 : “Konferenca e Bujanit gurthemel i shtetësisë së Kosovës”, të autorit prof. asoc. dr. Alban Dobruna
“KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS”
Libri “Konferenca e Bujanit gurthemel i shtetësisë së Kosovës”, i autorit prof. asoc. dr. Alban Dobruna, është një studim monografik, i cili përfshinë një periudhë historike mjaft interesante dhe delikate për historinë shqiptare në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti, në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas.
Konferenca e Bujanit është një ngjarje historike që ka lënë gjurmë në anale të së kaluarës së Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet pasuese. Në historiografinë shqiptare janë shpalosur momente fragmentare e sintetizuese në kuadër të makroprojekteve kushtuar historisë së popullit shqiptar gjatë shek. XX në përgjithësi dhe të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore në veçanti. Një trajtim më i veçantë i kësaj ngjarje historike, në suaza të një monografie shkencore, ka qenë i domosdoshëm në historiografinë shqiptare. Në këtë kontekst, studiuesi prof. asoc. dr. Alban Dobruna, mbështetur në të arriturat e deritashme të historiografisë shqiptare, ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje më e zgjeruar trajtimit të kësaj ngjarje specifike, duke realizuar kërkime të reja në arkiva dhe biblioteka, për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të jetës politike, ushtarake, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vitet pasuese, me fokus Konferencën e Bujanit dhe rezultate e saj…..