Tuesday, November 5, 2024
Gjakova Presss

Në Gjakovapress vazhdon fejtoni: ARSIMI SHQIP NË GJAKOVË-Qamil Luzha(1892-1988)

Qamil Luzha ishte pjesë e delegacionit të parë shqiptar në Beograd, ku kërkoi nga Josip Brozi që “të hapen shkollat shqipe në Kosovë dhe të sillen mësues nga Shqipëria”. Përveç kësaj, sipas kujtimeve që shkruan Ismet Balaj, në atë takim Qamil Luzha i kishte thënë Titos: “Zoti Marshall, na jepni të drejtën që na ka falë natyra”, që nënkuptonte të drejtën e mëvetësisë e të bashkimit me Shqipërinë. Më 1947 u burgos nga OZN–a. U mbajt nën hetime disa muaj e pastaj u internua familjarisht shtatë vjet në një fshat të Valevës në Serbi, ku qëndroi deri në vitin 1953. Pas daljes nga internimi, ai u mor me punë të ndryshme, por jo si mësues. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me Dekretin Nr. 811, dt. 11.4.1994, e dekoroi me meritat në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në periudhën 1941-1944.

QAMIL Myrteza LUZHA (1892-1988)

Në ndonjë libër viti i lindjes është shkruar gabimisht 1890. Viti i tij i lindjes është viti 1892. U lind në Gjakovë, ku e kreu shkollën fillore në gjuhën turke, kurse shkollën e mesme teknike të ndërtimtarisë e kreu në Shkup. Nga viti 1915-1920, sa kishte zgjatur shkollimi, ai qëndroi në Shkup. Me rastin e formimit të Shoqërisë Xhemijet në vitin 1920, në Shkup, ai mori pjesë bashkë me shumë shokë në mbledhjen themeluese, ku kryetar i saj ishte zgjedhur Nexhip Draga. Në programin e saj, shoqëria kishte mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shumë kombësive që shkeleshin nga Mbretëria SKS. Kjo shoqëri botonte gazetën Hak, ku pasqyroheshin programi, idetë dhe aktivitetet e partisë, e cila gazetë u ndalua nga organet e pushtetit të kohës. Për shkak se kishte rënë në sy si aktivist shumë i angazhuar në shoqërinë Xhemijet, Qamil Luzha u detyrua të largohej nga Shkupi, prandaj në vitin 1920 shkoi në Prizren, ku kishte punuar si punëtor në një dyqan deri në vitin 1922. Atje u inkuadrua në “Klubin socialist” dhe jo vetëm që mori pjesë, por ishte në krye të një demonstrate të madhe, që ishte organizuar nga aktivistët e Klubit të Prizrenit. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstratë, ai ishte në rrezik të kapej nga xhandarmëria serbe, prandaj iku dhe doli në Krumë të Hasit. Në Krumë e emëruan menjëherë mësues të klasës së parë, në të cilën ishin regjistruar 50 nxënës që e vijonin mësimin. Në shtator të vitit 1923 Qamil Luzha ishte mësues i klasës së II-të, po në atë shkollë, por në muajin korrik të atij viti emërohet sekretar i komunës Krumë dhe largohet nga shkolla. Në këtë vit në Krumë formohet Shoqëria Shkëlzeni, anëtarë të së cilës kanë qenë: Niman Ferizi, Ferid Imami, Qazim Bakalli, Sali Morina, Rexhep Shpendi etj, kurse në muajin janar të vitit 1924, në Krumë ishte formuar dega e Shoqërisë Bashkimi për qarkun e Kosovës, të cilën e udhëhiqte Avni Rrustemi. Kryetar i degës në Krumë ishte zgjedhur Tahir Zajmi, ndërsa sekretar dhe llogaritar ishte caktuar Qamil Luzha. Më 1924 mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, ai pushohet nga puna si sekretar i komunës Krumë dhe nuk e lejojnë të kthehet në punë si mësues, prandaj një kohë mbeti pa punë për shkak të pikëpamjeve politike. Mirëpo me ndihmën e mikut të tij, Jashar Erebara, përfaqësues i Dibrës në parlamentin shqiptar, i cili ndërmjetësoi te ministri i atëhershëm i Arsimit, Xhafer Ypi, Qamil Luzha u emërua mësues në fshatin Erebar të Peshkopisë…Në këtë fshat nuk e kishin plotësuar asnjë kusht për vazhdimin e mësimeve. Kryeplaku dhe fshatarët duhej të siguronin kushtet minimale. Edhe pse mësuesi Qamil Luzha ishte përpjekur më se dy muaj për t’i bindur fshatarët për nevojën që kishte fshati për një shkollë për shkollimin e fëmijëve të tyre, puna nuk po i ecte mirë, sepse fshatarët nuk po i bindeshin për ta rregulluar dhomën e mësimit. Ata mendonin se fëmijët janë fshatarë, e fshatarë do të jenë, se shkolla nuk u duhet gjë, sepse do të jenë çobanë e bujq e ndonjë murator, si etërit e tyre. Në kujtimet e veta Qamil Luzha tregon: “Unë iu qepa kryeplakut dhe e bëra për vete. Shkonim shtëpi për shtëpi. Bisedonim me burra, por meqë ishin edhe maqedonas, me këta që dinin shqip, bisedoja edhe me gra…Biseda me gra ishte më e frytshme, sepse ato sikur po e kuptonin më mirë nevojën e shkollës…Pas afro tre muajsh e hapëm shkollën me 12 djem të moshave të ndryshme. Etërit e nxënësve dhe kryeplaku u zotuan se do ta mbanin shkollën të hapur se fëmijët e tyre do të jenë të rregullt dhe se do të mësojnë mirë. Ndjeva një gëzim të madh, sepse ia arrita qëllimit…Pastaj nisa mësimin. Kisha siguruar dërrasën e zezë, shkumës, bankat, nga një fletore për nxënës, nga një laps. Unë kisha gjetë një abetare për klasën e parë…Këta tre muaj qenë një shkollë e vërtetë për mua. M’u shtua besimi se me punë të kujdesshme dhe të vazhdueshme mund të arrija objektivat e mia. Të mësoj e të edukoj atdhetarë të mirë. Pas kësaj shkolle, Qamil Luzha emërohet mësues në fshatin Herbel [Dibër]”. Në vitet në vazhdim punoi si mësues edhe në Grevë e Dibër, pastaj ishte kryetar i komunës Peqin, Skrapar, Kukës, Kolonjë, Kurvelesh, Dukagjin, Këlcyrë, Kelmend e Bushat. Këto detyra i kreu deri në vitin 1942, kur u kthye në Kosovë dhe u emërua nënprefekt në Istog, ku dha një kontribut të çmueshëm në hapjen e shkollave shqipe dhe kompletimin e tyre me kuadro e mjete mësimore. Në Kosovë iu bashkua LANÇ dhe ishte pjesëmarrës i Konferencës së Bujanit dhe nënshkrues i saj. Pas luftës, në dhjetor të vitit 1944, pra një muaj pas hyrjes së forcave partizane në Gjakovë dhe vendosjes së organeve të pushtetit të ri, Qamil Luzha u zgjodh kryetar i parë i Këshillit të Rrethit të Gjakovës. Në dy shkresa të gjetura në ANKGJ, të shkruara e të nënshkruara personalisht, na del se në mars të vitit 1945 ishte Kryetar i parë i Këshillit NÇ të Rrethit të Gjakovës. Qamil Luzha ishte pjesë e delegacionit të parë shqiptar në Beograd, ku kërkoi nga Josip Brozi që “të hapen shkollat shqipe në Kosovë dhe të sillen mësues nga Shqipëria”. Përveç kësaj, sipas kujtimeve që shkruan Ismet Balaj, në atë takim Qamil Luzha i kishte thënë Titos: “Zoti Marshall, na jepni të drejtën që na ka falë natyra”, që nënkuptonte të drejtën e mëvetësisë e të bashkimit me Shqipërinë. Më 1947 u burgos nga OZN–a. U mbajt nën hetime disa muaj e pastaj u internua familjarisht shtatë vjet në një fshat të Valevës në Serbi, ku qëndroi deri në vitin 1953. Pas daljes nga internimi, ai u mor me punë të ndryshme, por jo si mësues. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me Dekretin Nr. 811, dt. 11.4.1994, e dekoroi me meritat në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në periudhën 1941-1944.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *