Në Infektiven e Spitalit të Gjakovës trajtohen 15 pacientë me Covid 19
Me 5 rastet e mbrëmshme, në komunën e Gjakovës numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në gjithsejt 73, me një rast vdekje. Sipas Hilmi Shalës, ushtrues i detyrës se drejtorit të spitalit në Gjakovë, në repartin e Infektives në spitalin Isa Grezda, momentalisht janë të hospitalizuar 20 persona prej të cilëve 15 pacientë janë me Covid 19. 4 persona të moshuar janë me oksigjenoterapi Kjo, sipas Shales tregon për numrin në rritje të prekurve nga Covid 19, edhe në komunën tonë.
“ Ne po ofrojmë shërbime adekuate për pacientët e infektuar dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Shala.
Shala ka theksuar se nga sot janë marrë masa për rritjen e kapaciteteve pranuese të pacienteve me Covid 19. Aktualisht kapaciteti pranues në Infektiven e Spitalit të Gjakovës është 30 shtretër. Ai ka apeluar për kujdes të madh në respektim të masave mbrojtëse, sepse, nëse me këtë ritëm vazhdon numri i të infektuarve, atëherë do të ketë vështirësi të mëdha.