Në nivel vendi sot numër treshifror i të infektuarve, në Spitalin e Gjakovës të hospitalizuar 16 pacient
Shqetësimet e përhapjes së Covid 19 kanë përfshirë rajonin e gjerë. Shifrat alarmante në disa shtete evropiane kanë ndezur sërish sinjalin e kuq për kujdes të shtuar në respektimin e masave kundër Covid. Gjatë 24 orëve të fundit, nga gjithsej 889 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, rezultojnë 104 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive është 16.606 raste nga 78.161 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 652 raste të vdekjes.
Në komunën e Gjakovës janë konfirmuar 3 raste të reja duke ngritur numrin e përgjithshëm në 658 raste. 45 raste kanë përfunduar me vdekje nga Covid 19.
Në Spitalin “Isa Grezda”, sipas Hilmi Shales, ushtrues i detyrës së drejtorit, po bëhen përpjekje për t iu ofruar ndihmë mjekësore gjithë të hospitalizuarve të dyshimtë për Covid 19. Sipas tij, sot në repartet e këtij spitali janë të hospitalizuar 16 pacientë, prej tyre 12 të konfirmuar me Covid 19. Nga numri i përgjithshëm 2 pacientë janë konfirmuar negativ, njëri prêt rezultatin e testit dhe një tjetër prêt të testohet. Gjendjen më të rënduar e kanë 10 pacientë që janë me oksigjenoterapi dhe një është me CPAP maskë.
Drejtori Shala ka thënë se me korona virus janë konfirmuar edhe 4 mjek të spitalit, një infermier dhe punëtor i administratës.
Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës në vazhdimësi apelon: Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!, Mbani higjienën! Respektoni distancën!