Në numrin më të ri: RRUGËTIMI I REVISTËS GJAKOVAPRESS BASHKË ME 15 VJET TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Është viti i 15-të që para lexuesit del e përmuajshmja Gjakovapress. Një revistë që i dedikohet lexuesit të të gjitha shtresave. Shkurt , një revistë për familjen. Pikërisht në Janar të vitit 2008 doli numri parë i kësaj reviste, që padyshim se ishte një sihariq për lexuesin. Prej atëherë, kur dy javë e diçka më shumë, më 17 Shkurt, u shpall Pavarësia e Kosovës ne hapëruam sëbashku, duke nxjerrë para opinionit çdo muaj një pjesë të përditshmërisë gjakovare, një pjesë të krenarisë dhe lavdisë së këtij populli në shekuj, për mbamendje të brezave dhe për të shërbyer si motiv për një të ardhme, pastaj një hapërim në vitet e përpjekjeve për një zhvillim të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik dhe për të shpalosur synimet e brezave të rinjtë. Punuam me moton Gjakova dje, sot dhe nesër!
Pos tjerash, në faqet e revistës Gjakovapress për këto 15 vite, pos aktiviteteve ditore, javore e mujore informative, botuam qindra shkrime interesante nga arritjet në fushat e kulturës, historisë dhe trashëgimisë kulturore të popullit të kësaj treve. U munduam të shpalosim një pjesë të identitetit të Gjakovës, qendrës së Malësisë së Gjakovës me karakteristikat e trevës të penës e pushkës. Shpresojmë të ia kemi arritur këtij qëllimi. Këtë e dinë më së miri lexuesit tanë besnik.
Për këto vite në vazhdimësi kemi pasqyruar edhe punën e organit më të lartë vendimmarrës, Kuvendin komunal, ku këshilltarët komunal të gjithë spektrit politik dhe qeverisjet lokale ndër vite, kanë drejtuar komunën drejtë një zhvillimi të përgjithshëm.
Të botosh një revistë që emër ka Gjakovën, është përgjegjësi e madhe. Aq më tepër kur në kohën kur lindi e po rrugëton revista, nuk kemi një gjendje të mirë ekonomike. Kemi një situatë të rënduar sociale.
Situata ekonomikë tek ne na ka pamundësuar realizimin e planit tonë afatgjatë që kishim parashtruar më 2008 për një revistë, dyjavore apo edhe një javore…
Kultura e sporti por edhe shumë fusha tjera me të cilat identifikohet Gjakova, pa mbështetjen e bizneseve nuk mundë të jetojnë në mënyrë cilësore. As botimet e revistave, që hyjnë në fushën e kulturës, nuk janë të lehta. Bizneset gjakovare kanë hallet e veta, ndaj edhe këto veprimtari bëhen të vështira.
Në këto paralele për 15 vjet kemi rrugëtuar edhe ne. Është momenti që në këtë jubile të falënderojmë ato pak biznese që ishin vendimtare për botimin e numrave të parë dhe mbeten besnike për shumë vite duke bashkëpunuar në forma të ndryshme reklamimi si dhe për disa vite më herët, Kuvendin Komunal për mbështetje të pjesërishme në botimin e kësaj reviste. Problemet financiare, që nga shfaqja e pandemisë Covid, bënë që revista Gjakovapress të dalë vetëm ONLINE.
Të botosh një revistë, nuk është punë fare e lehtë. Por këtë na e mundësuan edhe shumë kolegë e bashkëpunëtorë të cilëve u jemi mirënjohës përgjithmonë. Ata punuan e bashkëpunuan me ne . Ata dhe ne kemi gjetur satisfaksion tek puna që besojmë se do të jetë dhuratë për qytetin tonë. Në këtë punë tonën jemi të vetëdijshëm se kemi edhe mangësi dhe nganjëherë na rrëshqasin edhe gabime teknike, sepse në mungesë fondesh nuk po arrijmë ta zgjërojmë ekipin realizues. Besojmë që në të ardhmen ti zvogëlojmë këto mangësi në minimum. Megjithkëtë kronikanët e kohës, nga Gjakovapress, pas shumë vitesh do të kenë mjaftë materiale për ta njohur shpirtin krijues dhe rrugëtimin zhvillimor të Gjakovës nëpër vite.
Nëse është kështu atëherë ne ndjehemi të lumtur në këtë 15 Vjetor. Gëzuar! (editori, Zeki Vehapi)