Në shkollën Yll Morina, po përfundon një gjysmëvjetori i vështirë shkollor
Në rrethanat e vështirësuara me pandeminë Covid 19, rreth 800 nxënës e 56 mësimdhënës të shkollës së mesme të ulët Yll Morina në Gjakovë, po bëjnë përpjekje për ta përmbyllur me sa më shumë sukses gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor që mbyllet këtë fundjavë.
Drejtori i shkollës Berat Bejtullahu i tha Radio Gjakovës se këto 2 apo 3 ditët e ardhshme kanë ngelur për tu mbyllur notat dhe vlerësimet për dijen e arritur të nxënësve në këtë periudhë që ka qenë e vështirë për procesin edukativo arsimor.
“ Jemi në fazën e mbylljes së notave. Të mërkurën dhe të enjten përfundon ky proces i vlerësimit të dijes dhe nga e hëna nxënësit dalin në pushime. Kjo periudhë e mësimit ka rrjedhë me telashe. Kemi pas kohë pas kohe të infektuar 12 mësimdhënës bashkë me staf përcjellës si dhe 15 nxënës të infektuar. Mungesat e mëdha të mësimdhënësve të infektuar na kanë sjellë vështirësi, sepse, sikurse edhe në shkollat tjera, nuk kemi pasur potencial të mësimdhënësve për ti zëvendësuar. Pastaj numri i nxënësve që kanë munguar, ka qenë më i madh sepse përveç nxënësve të infektuar, ka pasur edhe të tjerë nxënës që kanë qenë të izoluar për shkak të infeksionit të anëtarëve të familjes”, ka thënë Bejtullahu.
Bazuar në rrezikun e infeksionit të mëtejmë të nxënësve dhe mësimdhënësve, drejtori i shkollës Yll Morina, ka thënë se vendimi i Ministrisë së Arsimit për ta përmbyllur më herët këtë gjysmëvjetor është i drejtë.
“Është mendimi im personal se vendimi i Ministrisë së Arsimit për shkurtim një javor të gjysmëvjetorit, është i drejtë, sepse shkëputet zinxhiri i infeksionit. Ka qenë situatë emergjente. Në këto rrethana të zhvillimit të mësimit, mendoj se kemi arrit 80% të suksesit. Besojmë në ditë më të mira në gjysmëvjetorin e dytë kur edhe do të kompensohen ditët e humbura.