NË VËLLAZNIM SHKON GASHI VJEN MARAJ
Ish kapiteni i skuadrës së Vëllaznimit, Atdhe Gashi pasi nuk arriti marrëveshje me drejtuesit e klubit gjakovarë ka vendosur që në stinorin pranveror të vesh fanelen e klubit futbollistik “Decani”. Pos Gashit, Vëllaznimit, në vazhdim të garave do ti mungojë edhe Alban Guci dhe portieri Feim Statovci i cili definitivisht ka njoftuar se karrierën do ta vazhdojë në Gjermani. Në anën tjetër skuadra kuq e zi është përforcuar me Skerajn, Kryeziun dhe Mehjen që erdhën nga Liria e Prizrenit si dhe me Andon Omerajn dhe portierin Fatjon Dervishin nga Shqipëria i cili është në sprovë.
Jo zyrtarisht mësohet se dëshirën për tu bërë pjesë e Vëllaznimit e ka shprehë edhe ish futbollisti i Prishtinës, Leondrit Maraj. Sipas të gjitha gjasave ky mesfushor me një karrierë të suksesshme në skuadrat gjermane, do të sprovohet për disa ditë nga shtabi teknik i Vëllaznimit.
Të enjten Vëllaznimi zhvilloi ndeshjen e dytë stërvitore në Durrës. Mposhti K.F Shijakun me rezultat 4 me 1.Golat i shënuan Yll Myrtaj, Mevlan Zeka, Ermir Nikoliqi dhe Arber Komoni.