Site icon Gjakovapress

Nga e kaluara e Gjakovës: Si u informuan qytetarët e Gjakovës në vitet e 50-ta?

(Nga kujtimet e Shani F. Hoxha

Organet e pushtetit lokal të Gjakovës në bashkëpunim me Universitetin popullor të Rrethit të Gjakovës, morën iniciativën që në qytet ta instalojnë aparaturën e Radio stacionit lokal me altoparlant për ti përcjellë lajmet ditore të Gjakovës e të Radio Prishtinës. Kështu, nga viti 1951-1953, besimi për këtë punë iu dha Universitetit popullor të Gjakovës dhe ajo me angazhimet e disa anëtarëve me profesione edhe nga teknika e elektrikes, fizikës e tj. i kryen punët me përkushtim dhe me sukses.

Kështu, në shkollën e femrave ku tani është i vendosur busti i luftëtarit të Spanjës, gjakovarit Asim Vokshi, kishte lokal të mjaftueshëm për vendosjen e aparaturës dhe zyret për punë. Aty u vendos aparatura, ndërsa kabllo vazhdoi deri te shtylla e vendosur në një anë të Parkut të qytetit, në mes të “Korzos” dhe shtatores së Nënës Terezë ku qëndron sot. Aty u vendos altoparlanti i cili shpejt filloi së emituari lajmet lokale. Në atë kohë e patëm pagëzuar “Radio lokale e Gjakovës”.

Qëllimi i veprimit të kësaj forme të informimit dhe argëtimit ishte se shumica dërrmuese e qytetarëve në shtëpitë e tyre nuk kanë patur radio aparate as “Kosmaj” që përdorej me pakicë në atë kohë. Në mungesë të tyre komuna mendoj që lajmet e Radio Prishtinës t’i dëgjojnë edhe nëpërmes altoparlantit të Gjakovës sipas hartimit të programit të emisioneve të saj.

Poashtu, qëllimi ishte edhe emetimi i përditshëm i rezultateve të punëve që bëheshin më komunë dhe rrethinë të Gjakovës, si në organet shtetërore që ishin me interes të veçantë për qytetarët poashtu dhe aktivitetet e shumta në lëmit e ndryshme. Merreshin në konsideratë në radhë të parë institucionet edukativo-arsimore, kulturore, shëndetësore, sportive etj. Pastaj vinin organizatat shoqërore-politike si: Komiteti i partisë, Fronti popullor i cili shpejtë u thirr Lidhja Socialiste e Popullit Punues, Komiteti i Rinisë, Organizata e pionierëve. Pastaj vinin me radhë rezultatet e punëve vullnetare që organizoheshin nga ana e banorëve të një rruge, lagje, rajoni, të fshatrave dhe të organizatave ekonomike. Aksionet organizoheshin sipas nevojave të çdo mesi territorial dhe gjatë të gjitha stinëve të vitit kalendarik, kuptohet sipas nevojës së domosdoshme p.sh. heqja e borës së madhe nëpër shtëpitë,  ku ishin kulmet e dobëta, pa fuqi fizike ose pleq.

Për të shkuar mirë e drejtë punët, është formuar Këshilli drejtues i Radios lokale i cili përbëhej prej udhëheqësit i cili ishte edhe redaktor, daktilograf dhe spiker Shani Hoxha (autori i këtij shkrimi). Për sekretar, grumbullues i informatave dhe raporteve, daktilografonte dhe ja dorëzonte spikerit ishte Veli Mulla Jupa-Emra.

Kështu vazhdonte puna në transmetimin e informatave për çdo para dite prej orës 9.00 deri në orën 10.00 dhe pas dite prej orës 15.00 deri në orën 16.00 Njerëzit që ishin të lirë e shëtiteshin në “Korzo” kishin rast edhe t’i dëgjonin lajmet e Radio Prishtinës dhe të Radios lokale të Gjakovës nëpërmjet altoparlantit. ….(shkrimin e plotë mundë ta gjeni në numrin më të ri të revistes Gjakovapress 141- online)

Exit mobile version