Gjakovapress

Nga sot Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”

Prej 21 Shtatorit 2017,  Teatri i Qytetit të Gjakovës do të mbajë emrin e doajenit të skenës dhe filmit Hadi Shehu.  Asambleistët e komunës së Gjakovës kanë votuar “pro” propozimit për ndërrimin e emrit te teatrit në mbledhjen e fundit.

Propozimi për ta quajtur teatrin sipas emrit të aktorit të madh, tashmë të ndjerë, Hadi Shehu, erdhi menjëherë pas vdekjes së tij, ndërsa Drejtoria për Kulturë dhe Teatri i Gjakovës nisën procedura ligjore që përfunduan sot, disa ditë pasi aktori bëri 6 muaj që kur mbylli përgjithmonë sytë. Pikërisht në mbledhjen komemorative, regjisori i njohur Ekrem Kryeziu kishte propozuar që ky teatër të mbajë emrin e gjigantit të skenës shqiptare. Vet Hadi Shehu ishte teatri i Gjakovës, për të shkruheshin dramat, për të vinte në teatër publiku artdashës i Gjakovës kishte thënë Kryeziu.

Emërimi i teatrit me emrin e Hadi Shehut është nderim që i bëhet veprës dhe përkushtimit të aktorit ndaj Teatrit të Gjakovës me të cilët kaloi ditët më të mira dhe më të vështira për çka është mirëpritur nga adhuruesit e shumtë nga të gjitha trojet shqiptare.

Ky vendim është mirëpritur në Teatrin e Gjakovës ku dha gjithçka nga vetja, zemra e shpirti krijues. Edi Kastrati , drejtor i Teatrit në Gjakovë tha se ndjehet i emocionuar por shumë krenar për këtë vendim.

“Një mbështetje dhe përkrahje nga drejtoria për Kulturë,  nga vet drejtori gjithashtu nga këshilli per teatër ka qenë gjithsesi e domosdoshme dhe nuk ka munguar që kjo iniciativë të bëhet realitet, emocionet janë tepër të mëdha dhe të pa përshkrueshme që të emërohet Teatri me emrin e njeriut që dha shumë prej vetes që ne ta gëzojmë Teatrin, pa të cilin ndoshta as nuk do të ishim  ne gjenerata e re,  sepse  e dimë mirë që ishte frymëzim dhe motiv për neve që të studiojmë aktrimin. Gjithashtu kur më kujtohet takimi im i parë para se ta marr mandatin si drejtor kur më tha: Edi do ta kesh mbështetjen time dhe duhet të jesh drejtor i Teatrit, e tash pas 6 viteve ai të mos jetë në mesin tonë dhe ne ta emërtojmë Teatrin me emrin e tij të madh,  është me të vërtetë tepër emocionuese dhe ndjehem tepër krenar.” ka thënë Kastrati.

I nderuar për këtë vlerësim është shprehur edhe Betim Shehu, djali i Hadi Shehut. Ai përmes një statusi në Facebook ka falënderuar të gjithë për vlerësimin që i është bërë babait të tij, i cili shkriu jetën në atë teatër.

“Babi, sot Gjakova po të nderon me emërtimin e Teatrit Hadi Shehu, si shenjë mirënjohje dhe falënderimi të përjetshëm për gjithë dashurinë dhe kontributin tëndë për artin shqiptarë dhe për Teatrin e Gjakovës, që për ty ishte pjesë e jetës, e buzëqeshjes, e vajit, e këngës, e krenarisë e atdhedashurisë. Teatrit po i shkruhet me shkronja të arta emri Yt dhe gjithë Ne do ta ruajmë me nder dhe krenari!
Faleminderit Drejtorisë së Teatrit dhe kolegëve të Teatrit për iniciativën, Drejtorisë për Kulturë, të gjithë Asambleistëve dhe Kuvendit Komunal të Gjakovës.
Faleminderit gjithë popullit të Gjakovës dhe me gjerë për mbështetjen morale!”, ka shkruar Betimi në facebook. (gjakovapress)

Exit mobile version