Pasi tha se pesëmbëdhjetë vite më parë, kur vargu i gjatë i qindra mijëra refugjatëve, po ktheheshin në Kosovë, në shtëpitë e tyre për ti gjetur ato tërësisht të rrënuara, por me shpresën dhe përkushtimin për të hapur kapitullin e paqes që do garantonte një të ardhme më të mirë, më të sigurt jo vetëm për ta, për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë Rajonin, Jahjaga theksoi se USAID ndër vite ishte dhe vazhdon të jetë një mik i qytetarëve të Kosovës, partner i institucioneve të saj, i sektorit privat dhe shoqërisë civile, i udhëhequr nga synimi për të ofruar mbështetje për vendosjen e bazës së sigurt të një shteti që ofron dhe garanton zhvillim, mirëqenie e siguri.
“Me anë të programeve të shumta, USAID ju është përgjigjur në çdo hap nevojave të shoqërisë tonë, duke na qëndruar pranë në çdo fazë të shtetndërtimit tonë, të konsolidimit të demokracisë sonë, të ndërtimit të një tregu të lirë dhe ofrimit të mundësive për gjithsecilin pavarësisht etnisë apo gjinisë”, tha presidentja Jahjaga.
Drejtoresha e USAID-it Mauren Shauket, ka vlerësuar si mjaftë të suksesshëm misionin dhe rezultatet e arritura të USAID-it në Kosovës dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet lokale e vendore
“ Ne tani duke folur për periudhën e shkuar duhet që të shikojmë në të ardhmen , duke shpalosur strategji të reja dhe duke hartuar edhe projekte në dobi të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë në mes tjerash Shauket.
Ndërkohë, zv/drejtoresha e USAID-it Bakus, ka theksuar në këtë rast se USAID-I është dhe do të mbetët pjesë vitale e mbështetjes së popullit të Kosovës, dhe forcë shtyse e ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të këtij vendi.
“ Ky mision për popullin e Gjakovës dhe të Kosovës, menjëherë pas luftës ishte mision i shenjët. Veçmas për qytetarët e Gjakovës, ku pas shkatërrimeve dhe pasojave të luftës, USAID-I, menjëherë filloj realizimin e projekteve, sikur që filloj me realizimin e projektit për Çarshinë e Madhe e cila e tëra ishte e djegur dhe shkatërruar”, ka veçuar në fjalën e saj mbështetjen e këtij misioni për popullin e Gjakovës.
Ndryshe në fokus të shënimit të këtij përvjetori sot ishte Programi për Sundimin Efektiv të Ligjit, që u realizua në bashkëpunim me Gjykatën Themelore të Gjakovës. Në ambientet e Gjykatës Themelore u organizua tryezë e rrumbullaket në temën “Ligji dhe Drejtësia: Rolet dhe Partneriteti” .
Më pas iu bë vizitë Qendrës Kulturore në Brekoc si dhe u bë përurimi i Njësisë për Prodhimin e Gjizës nga Shoqata e Grave të Korenicës.