Një nënkalim apo mbikalim te Pallati i Sporteve

Siguria në trafik është ndër preokupimet parësore për të gjithë, për faktin se çdo lëshim më i vogël qoftë, sjellë pasoja të mëdha. Në këtë aspekt infrastruktura rrugore dhe shenjëzimi i rrugëve luan një rol të rëndësishëm për sigurinë e pjesëmarrësve në trafik. Janë disa rrugë apo pika rreziku që në vazhdimsi kanosin sigurinë e pjesëmarrësve. E tillë është ajo te kryqëzimi i rrugës Musa Zajmi dhe rrugës Tirana, skaj hyrjes së pallatit të sporteve Shani Nushi. Mjafton të qëndrosh për pak minuta dhe të hetosh një lëvizje të pandërprerë të automjeteve në të dy krahët e rrugës transite dhe një pamundësi të kalimit të këmbësorëve nga njëra anë në tjetrën. Në këtë rast, janë kryesisht sportistët që e frekuentojnë pallatin e Sporteve gjithnjë të rrezikuar. Kur kihet parasysh se në veprimtaritë sportive e rekreative në kompleksin e Pallatit të Sporteve marrin pjesë edhe fëmijët atëherë del sheshazi rreziku për ta, dhe domosdoja e ndërmarrjes së hapave të shpejtë për ta menjanuar këtë pikë neuralgjike të zhvillimit normal të trafikut.
Sado që Policia e trafikut kohë pas kohe është prezente, vecanarisht kur ka ndeshje sportive dhe rregullon trafikun, gjatë orëve tjera, sportistët ndjehen të rrezikuar. Meqë rruga transite Tirana është në vazhdimsi e ngarkuar me trafik të përzier, ku lejohet shpejtësi më e madhe qarkullimi, do të ishte mirë që komuna dhe organet përgjegjëse më në fund të mendojnë për një nënkalim apo mbikalim, cilido që të jetë me kosto më të ulët, në mënyrë që siguria në trafik në këtë hapësirë të jetë në nivelin e duhur.