Gjakovapress

Njomakët e Gjakovës e bën krenar tërë futbollin e Kosovës

gjakovau12Në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, u mbajt konferencë me gazetarë me rastin e kthimit nga Suedia të KF”Gjakova” grupmosha 12 vjeç, të cilët kishin fituar vendin e parë në ‘Gothia Cup’, apo siç do të quhet tash e tutje Kampionati botëror i grup-moshave të reja. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu,  duke përgëzuar, futbollistët, përgjegjësit dhe trajnerët e KF “Gjakova” ndër të tjera u shpreh: “ Vendi i parë në këtë turne do të thotë shumë jo vetëm për klubin Gjakova por edhe për futbollin e Kosovës në përgjithësi. Unë ju uroj suksese edhe në të ardhmen dhe shpresoj se ky sukses sa është nder e privilegj, po aq do të jetë edhe obligim për punë më të madhe dhe më të mirë”. Nga ana e e tij Gëzim Daka, koordinator i KF”Gjakova”, ka thënë:
“Falënderoj organizatorin, FFK-në për mbështetje, ndërsa në veçanti falënderoj prindërit e këtyre futbollistëve të cilët ishin sponsorët kryesor që ne morëm pjesë në këtë garë tepër prestigjioze siç është ‘Gothia Cup’. Atje kemi marrë pjesë me 5 grup-mosha që nga 11 vjeçarët deri të 18 vjeçarët. Ndonëse të gjitha grup-moshat dëshmuam cilësi, megjithatë këta 12 vjeçar ishin më të mirët dhe ky trofe dhe çmimet e futbollistit më të mirë dhe golashënusit më të mirë flasin në veçanti për një sukses të jashtëzakonshëm. Kemi bërë përgatitje të mëdha dhe të vazhdueshme  gjë që ka rezultuar me këtë sukses. Në ndeshjen finale luajtëm kundër moshatarëve nga KF ”Halmstad” duke triumfuar me rezultat 8:2, ndërkaq që stadium ishin afro 25 mijë shikues, mbase mbi 15 mijë ishin shqiptarë duke krijuar atmosferë të jashtëzakonshme sportive, të cilët kanë kënduar e qarë nga malli e gëzimi”.
E anëtari i shtabit teknik, Lirim Dujaka ka thënë se ky sukses për të nuk ka qenë i papritur duke marrë prasysh se sa me përkushtim e profesionalzëm si dhe me një vullnet e zell të pashoq kanë punuar këta djelmosha. Faton Brahushi trajner i kësaj grup-moshe para mediave është shprehur se ky sukses ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, një projekti të mirë.
“Këta djem kanë dëshmuar edhe njëherë se Kosova ka talent, vetëm duhet punë. Këta djem na kanë bërë të krenohemi të gjithë”, ka thënë Brahushi. Futbollisti më i mirë i turneut, Andi Delia, ka thënë se ndihet krenar që ka fituar skuadra dhe pa ndihmën e trajnerit dhe bashkëlojtarëve suksesi i tij nuk do të vinte. Golashënueii i mirë i kësaj grup-moshe me 21 gola në 9 ndeshje sa zhvilluan këtë djelmosha u shpall Gardison Tunaj, ndërsa  epiteti i talenetit më të mirë i takoi Muhamet Malokut. KF ”Gjakova”  i dha mirënjohje për FFK-në, sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, sikur që edhe FFK ndau një plaket për klubin Gajkova si mirënjohje për suksesin e treguar.
Ekipi pjesëmarrës U-12 i Gjakovës: Shtjefen Hilaj, Andi Delia, Muhamet Maloku, Gardison Tunaj, Ndriqm Berisha, Jozef Lekaj, Ermal Shunjaku, Qamil Tafarshiku, Valdrin Sylemaj, Endrit Mehmetaj dhe Ernis Miftari.

Exit mobile version