Profesioni i gazetarit ka zgjuar kureshtjen e nxënësve të shkollës Mazllum Këpuska të Gjakovës. Kjo u pa në një garë që u organizua mes klasave të shtata të kësaj shkolle. Mësimdhënësja e Gjuhës, Violeta Kameri tha se gjatë procesit mësimor ka hetuar një dashuri të veçantë të nxënësve për pjesën e lëndës së Gjuhës ku flitet për gazetarinë. Ndërkaq vet nxënësit, pasi kanë mësuar bazat fillestare të profesionit të gazetarisë kanë thënë se ky profesion është tejet atraktiv. Dikush nga ta dëshiron që në të ardhmen të punoi në radio, dikush në televizion apo edhe në revista e gazeta. Ata kanë sprovuar veten të bëjnë storie televizive me mundësitë e veta që kishin në dispozicion. Juria i kishte vlerësuar lartë të gjitha punimet dhe kishte vendosur që të gjitha të shpallen fituese.
Veprimtaritë jashtëmësimore gjithmonë kanë qenë pjesë e dashur e nxënësve. Kanë vepruar grupe artistike e grupe punuese nga fusha e ambientit dhe e profesioneve të ndryshme nëpër shkolla. Për këtë, na kujtohet edhe neve më të moshuarve orët e mëdha letrare që organizonin shkollat, programet artistike që bëheshin nëpër korridoret e shkollave, shfaqjet teatrore e veprimtari tjera. Shkolla Mazllum Këpuska e ka pasur primatin për të tilla programe. Bile, valltarët kanë qenë shembull. Dhe tek po hyja në këtë shkollë këto ditë Nëntori, më dolën përpara shumë veprimtari që kam ndjekur në këtë shkollë si gazetar për ti transmetuar në valët e Radio Gjakovës, që nga vitet e 80-ta.
E ata ishin përgatitur aq mirë sa unë mendoja se kisha përpara gazetarët e rinj të cilët kishin njohuri të bollshme për gazetarinë fillestare. Ata kishin depërtuar aq thellë sa kishin mësuar se çka është dhe si punohet lajmi, si shtylla kryesore e gazetarisë për të cilin punojnë mediat, sepse opinionit ato u interesojnë më shumë, pastaj tregonin për njohurit që kishin marrë për reportazhin, intervistat, raportet, kolumnet e shumë gjëra interesante që, ndoshta në programin shkollor as që ishin përmendur! Mësuesja Violetë thotë se ky është viti parë që mësohet ky kapitull në kuadër të lëndës së Gjuhës…