Të enjten në mbrëmje në skenën e shkollës së muzikës Prenk Jakova, u prezantuan instrumentistët që do të përfaqësojnë Kosovën në Koncertin e Berlinit që do të mbahet me 27 prill në sallën Chamber music e që titullohet “Një mbrëmje për Kosovën”. Andi Duraku , Eda Vlaqo dhe Alp Kuka në piano dhe në kitarë Ermal Kabashi e Tomor Kumnova ishin përzgjedhur në muajin nëntor mes 100 konkurruesve të këtij audicioni. Para prezantimit të tyre të mbrëmshëm, drejtoresha e Arsimit Dijana Qarkaxhija, përgëzoi këta instrumentistë duke iu uruar paraqitje të suksesshme para publikut gjerman. “Ju do të jeni zëri i Kosovës, por edhe i Gjakovës ngase pjesa më e madhe janë instrumentistë nga Gjakova, ndaj ju uroj që nga kjo ngjarje muzikore të ktheheni krenar” , ka thënë Qarkaxhija. Fituesit e audicionit të Berlinit më pastaj dëshmuan talentin, mjeshtërinë dhe bukurinë e interpretimit të veprave të kompozitorëve të njohur botëror për çka morën duartrokitje të gjata.
Pas koncertit duke marrë impresione nga shfaqja e tyre, veterani dhe pedagogu i muzikës Aliriza Rraci u shpreh i entuziazmuar me vlerat e prezantuara të instrumentistëve. Ai tha se këta talent, po ti dërgosh në gjitha
këndet e botës, ta zbardhin fytyrën”…Ndërkaq, njëri nga pjesëmarrësit e koncertit që do ta përfaqësojë Kosovën në Berlin, violinisti gjakovar Ermal Kabashi tha se ndjehet krenar që do të prezantoj Kosovën me vepra të kompozitorëve gjerman dhe shqiptar.
Të kujtojmë se instrumentistët fitues që u prezantuan mbrëmë në Gjakovë, udhëtojnë nesër në Gjermani ku do të qëndrojnë deri më 30 prill e bashkë me ta do të jetë edhe kompozitori Hajrulla Syla. E gjithë iniciativa është e mikut të Kosovës violonçelistit Frank Dodge, që ka punuar në Filarmoninë e Berlinit dhe ai tash e disa vite ka marrë iniciativa që ta ndihmojë artin në Kosovë.