Monday, December 30, 2024
LajmeSporti

Pas 11 vjetëve aktivizohet Klubi i Volejbollit Vellaznimi

volejbollMë në fund sporti gjakovar ka edhe volejbollin. Vajza e djem po përgatiten  në Pallatin e Sporteve për të hyrë në gara. Në një takim me sportistët, volejbollistë të Vëllaznimit  , por edhe me anëtarët e kryesisë së klubit dhe trajnerët, kryetarja Mimoza Kusari – Lila i ka përgëzuar ata për iniciativën e riaktivizimit të klubit pas 11 vjetëve pauzë, ndërsa ka premtuar se komuna dhe drejtoria komunale e sportit në veçanti do të jetë afër tyre me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e veta.

Kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka thënë se për të si kryetare janë të mirëseardhura lajmet për aktivizimin sportiv, sepse sporti është rruga më e mirë për ta pasur një trup e një mendje të shëndosh dhe larg dukurive negative. KV “Vëllaznimi” është klubi i tretë sportiv që po riaktivizohet kohëve të fundit, pasi vetëm pak javë më parë në arenën sportive janë rikthyer pas shuarjes së mëhershme edhe Klubi i Atletikës “Vëllaznimi” dhe Klubi i Shahut “Vëllaznimi”, klube të cilat tashmë edhe kanë filluar me angazhimin nëpër gara të ndryshme në nivel vendi. Komuna e Gjakovës tashmë ka ndarë një shumë prej 60 mijë euro për pjesën e mbetur të vitit 2016, për financimin e drejtpërdrejtë të klubeve sportive.